Meta: Bashkëpunim mes institucioneve

02/08/2010 12:40

Zëvendëskryeministri Ilir Meta ka deklaruar se mes institucioneve duhet të ketë bashkëpunim dhe përgjegjësi maksimale, duke iu referuar përplasjes mes PD-së dhe institucionit të presidentit.

“Rëndësi ka bashkëpunimi dhe përgjegjësia maksimale nga të gjitha institucionet që situata të tilla të kalojnë sa më shpejt. Mes institucioneve duhet të ekzistojë bashkëpunimi dhe jo fryma e konfliktit”, theksoi Meta në një dalje për shtyp.

Ai ka shprehur edhe njëherë qendrueshmërinë e koalicionit PD-LSI duke deklaruar se “mazhoranca i ka të gjitha votat dhe është solide për të garantuar qeverisjen e vendit”.

Duke folur për transparencën e zgjedhjeve, Meta theksoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë ligjore për bërjen e tyre.

“Përgjegjësia ekskluzive e kësaj situate i takon lidershipit të opozitës që ka pasur të gjitha instrumentët për të çuar përpara pretendimet e tij për transparencën e zgjedhjeve”, shtoi Meta.

Në lidhje me reformën zgjedhore, kreu i LSI-së deklaroi se partia e tij “ka kërkuar dhe kërkon reformë gjithëpërfshirëse dhe transparente dhe për këtë ka qenë e hapur për të gjtha opsionet”.

Top Channel