Elbasan, kontroll ujit të puseve

02/08/2010 10:25

Kampionët e ujit të puseve të fshatit Shirgjan, në Rrethin e Elbasanit, do t’i nënshtrohen testeve laboratorike.

Shkak është bërë rasti i dy familjeve të kësaj zone, që janë shtruar në spital për shkak të problemeve me ujin e pijshëm.

Historikisht kjo zonë fushore ka shfrytëzuar puset e hapura në kopshtet e shtëpive.

Janë puse të hapura sipas dëshirës apo nevojës së çdo familjeje dhe pa asnjë plan studimor në lidhje me kushtet higjieno-sanitare të vendosjes së tyre.

Sipas kreut të Komunës së Shirgjanit, Mustafa Shehu, është caktuar një person që të bëjë klorinimin e ujit të puseve, por ai paguhet në bazë të kontributeve të vetë fshatarëve që kanë për të mirëmbajtur puset.

Sipas specialistëve, shkaqet kryesore të ndotjes së ujit janë mungesa e kapakëve për t’u mbrojtur nga ndotësit e jashtëm dhe afria me gropat septike.

“Janë gropat septike ato që ndotin puset në këtë fshat dhe për këtë duhet të ndërhyhet në mënyrë urgjente që ata të bllokohen”, ka pohuar mjeku epidemiolog, Beqir Kila.

Sipas tij, një ditë më parë, Drejtoria e Higjienës në Elbasan ka kërkuar nga pronarët e puseve sjelljen e kampionëve të ujit për analiza.

Ndërkaq një ekip i Drejtorisë së Higjienës dhe Epidemiologjisë, në bashkëpunim me drejtues të komunës, do të nisin një kontroll të imtësishëm për problemin e puseve të ujit, jo vetëm në Shirgjan, por në të gjithë fshatrat që shtrihen në ultësirën e lumit Shkumbin.

 

Top Channel