Berisha takon ambasadorët

02/08/2010 19:35

Me rastin e përfundimit të mandatit në Shqipëri, ambasadori amerikan John Withers është pritur në një takim nga kryeministri Sali Berisha.

Berisha shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen dhe ndihmën e jashtëzakonshme që SHBA i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe.

Berisha vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të SHBA, mikut, aleatit dhe partnerit strategjik të shqiptarëve, të qeverisë amerikane, por dhe të ambasadës së saj në Tiranë, për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e cilësuar atë si një moment historik, si ngjarjen më të madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe të sigurisë së Shqipërisë, pas shpalljes së pavarësisë.

Në njoftimin publik të Kryeministrisë thuhet se ambasadori Withers, pasi e falenderoi kryeministrin Berisha për pritjen, theksoi se largohet nga Shqipëria i lumtur që Shqipëria ecën e sigurt drejt së ardhmes më të mirë.

Ambasadori vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë dhe politikave të saj konstruktive, të moderuara dhe miqësore, në shërbim të paqes dhe sigurisë në rajon.

Në takim u ripohua vendosmëria e të dy vendeve për të konsoliduar edhe më tej lidhjet dhe miqësinë e ngushtë midis dy vendeve dhe popujve, si dhe për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat.

Kryeministri priti edhe ambasadorin gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.

Kryeministri Berisha e falenderoi ambasadorin gjerman për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë gjate gjithë këtyre viteve dhe vlerësoi kontributin që vetë ambasadori Borchardt dhe stafi i ambasadës në Tiranë kanë dhënë në forcimin dhe zgjerimin e lidhjeve të gjithanshme dhe marrëdhënieve të ngushta të miqësisë e bashkëpunimit midis dy vendeve e popujve.

Top Channel