Aksident në Fier-Vlorë, 6 të plagosur

01/08/2010 12:05

Gjashte persona kanë mbetur të plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor që ndodhi mëngjesin e së dielës në aksin kombëtar Fier-Vlorë.

Dy automjete tip Mercedes-Benz, njëra me targë Vl 2392 A dhe tjetra FR 5051 B, janë përplasur në afërsi të fshatit Ferras, rreth ores 04.30 minuta.

Një çift bashkëshortësh, Trifon dhe Marigo Nushi, përkatësisht 70 dhe 67 vjeçe dhe drejtuesi i mjetit me targa të Vlorës kanë marrë plagë të rënda. Gjithashtu edhe tre shtetasit, mes tyre edhe një 16 vjeçare, që udhetonin me mjetin me targa të Fierit janë plagosur rëndë.

Gjashtë të plagosurit janë dërguar me urgjencë për të marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin rajonal të Fierit. Ndonëse në gjendje të rëndë, 6 të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Sipas policisë, e cila mbërriti menjëherë në vendngjarje, shkak për këtë aksident me pasojë plagosjen e 6 personave ishte përgjumja e drejtuesit të mjetit me targa të Vlorës.

Top Channel