Emigrantët, 3.5 miliardë euro

31/07/2010 16:30

Emigrantët shqiptarë i kanë kursimet vjetore 6 herë më të larta sesa paratë që dërgojnë në vendin e lindjes, por pavarësisht kësaj, remitancat vitet e fundit po vijnë në rënie.

Të dhënat e qendrës së studimeve ekonomike dhe sociale, tregojnë se 49% e emigrantëve shqiptarë duan të kthehen në vendin e tyre për të investuar në hapjen e bizneseve.

Emigrantët gjatë 2009-ës kanë kursyer 3.5 miliardë euro, por investimi i këtyre parave në Shqipëri kërkon strategji dhe mbështetje nga qeveria shqiptare.

« Niveli i kursimeve është dukshëm më i lartë sesa është niveli i remitancave. Emigrantët shqiptarë kursejnë në vendet e emigrimit gjashtë herë më tepër sesa dërgojnë në vendlindjen e tyre. Këto kursime mund të përdoren kryesisht për investime dhe i gjithë problemi është se si munmd të joshen kursimet e emigrantëve për t’u përdorur për investime në vendlindje », është shprehur Ilir Gedeshi, drejtor i qendrës së studimeve ekonomike sociale.
 
Vetëm në Itali, 20 mijë biznese menaxhohen suksesshëm nga shqiptarët, të cilët nuk kanë prona në vendin ku punojnë por në Shqipëri, çka tregon se lidhja me vendin e origjinës është e fortë. E megjithatë specialistët mendojnë se Shqipëria me liberalizimin e vizave mund të përballet me nje fluks të ri eksodi, ku shqiptarët do të kërkojnë mundësi të reja punësimi, siç ndodhi para pak vitesh në Rumani.

« Famljet shqiptare janë të prirura të bëjnë bashkim familjar në vendet ku jetojnë pasi kanë një lidhje të fortë me njerëzit e tyre. Kjo na bën që të parashikojmë që remitancët të ulen në vazhdimësi, por kursimet e tyredo te rriten. 26 përqind e shqiptarëve kanë mendim për të investuar në Shqipëri, por e rëndësishmë është kordinimi i qeverisë me ta », thekson Nicoolaas Zëager, Agjencia Ndërkombëtare për Kërkim.

Sipas specialistëve mendohet se remitancat në vitet e ardhshme do të jenë gjithnjë në ulje, pasi pjesa më e madhe e emigrantëve janë bashkuar me familjet e tyre.

Top Channel