A2, dorëzimet shtyhen deri më 6 gusht

31/07/2010 08:55

Provimi i maturës shtetërore u zhvillua më 30 qershor. Në datën 16 korrik u publikuan zyrtarisht në letër të printuar dhe në versionin elektronik listat e rezultateve.

Dhe vetëm dje, më datë 30 korrik, një muaj me vonesë, është pranuar se specialistët që vlerësuan dhe korrigjuan tezën kanë pasur probleme dhe janë ndeshur me shqetësimin e provimeve me përgjigje të njëjta.

Gjatë këtij muaji, askush nuk ka dalë zyrtarisht si përfaqësues i dikasterit dhe i sektorëve që menaxhuan e administruan procesin e maturës shtetërore, për të pohuar faktin, si dhe për të dhënë sqarime lidhur me këtë “avari”.

Madje përgjigjet e dhëna ditë pas dite për “komunitete” të vogla nxënësish, janë publikuar vetëm në variantin e printuar, në dyert e shkollave të mesme.

Nga ana tjetër, edhe pse maturantët kanë protestuar dy ditë më parë për një përgjigje se çfarë po ndodh, askush nuk i ka pritur për t’u dhënë një përgjigje, qoftë edhe për t’u “tërhequr” veshin për gabimin e kopjimeve kolektive, faktor që ka sjellë edhe ngadalësimin e korrigjimit.

Por procesi i korrigjimeve është “vajosur” dhe është zbutur me “balsamin” e kontrolleve të dyfishta e trefishta.

Dita-ditës përgjigjet janë duke u dërguar pranë shkollave të ndryshme. Sigurisht jo në versionin elektronik. Pavarësisht problemeve, të paktën një lajm i mirë është konfirmuar edhe nga arsimi.

Afati i dorëzimit të formularit A2 të plotësuar në çdo pjesë të tij do të jetë data 6 gusht, të premten e ardhshme.

Kështu, edhe kopjacët do të kenë një mundësi për të konkurruar, pavarësisht penalizimeve që do të marrin.

Përgjigjet e provimeve të maturës shtetërore janë vonuar për më shumë se dy javë në shumë shkolla të vendit, duke krijuar një situatë tensioni mes të rinjve që presin të mësojnë rezultatet dhe të plotësojnë formularin A2, për të konkurruar në universitete.

Top Channel