Presidenti, LSI “ndahet” nga PD

30/07/2010 15:50

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ndahen sërish, këtë herë përsa i përket presidentit të Republikës.

Nëse PD doli dy ditë më parë me deklarata të drejtpërdrejta kundër kreut të shtetit për shkelje të Kushtetutës, aleatët e LSI, nëpërmjet deputetit dhe nënkryetarit të Kuvendit Nasip Naco kanë patur tone të qeta, shumë larg atyre të demokratëve.

Në emisionin “Top Story”, zoti Naco theksoi se presidenti duhët të sillte në kohë kandidaturat, por nga krahu tjetër u shpreh qartë se nuk ka asnjë krizë dhe se gjithcka do të zgjidhet normalisht në shtator.

“Nuk ka krizë institucionale në Shqipëri, pavarësisht perceptimeve që ka për njërin apo për tjetrin”, ka deklaruar Naco.

Ndërkohë, socialistët kanë konfirmuar qëndrimin se sulmet aktuale ndaj kreut të shtetit kanë një qëllim të caktuar.

“Është një presion i hapur ndaj presidentit, që nuk duhet të bjerë në presione dhe kërcënime, por duhet të respektojë Kushtetutën pavarësisht kërcënimeve”, ka deklaruar deputetja e PS, Valentina Leskaj.

Por nëse presidenti i Republikës Bamir Topi, sic thotë mazhoranca ka shkelur Kushtetutën, atëherë përse i kërkohet të dekretojë në mënyrë urgjente kryetarin e ri të Gjykatës Kushtetuese kur në fakt për një shkelje të tillë, nëse do t’i referoheshim ligjit themeltar të shtetit në nenin 90, kreu i shtetit duhet të shkarkohej nga detyra.

Ky nen përcakton qartë se presidenti i Republikës mund të shkarkohet për shkelje të rëndë të Kushtetutës. Në rastin konkret, nëse ai ka shkelur Kushtetutën, atëherë Partia Demokratike po bën të njëjtën gjë duke mos e shkarkuar nga detyra.

Top Channel