Fushë Krujë, OSSH ndëshkon debitorët

30/07/2010 20:25

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka zhvilluar një aksion për ndërprerjen e energjisë elektrike për debitorët në qytetin e Fushë Krujës.

Grupet e punës të OSSH-së u përqendruan në lagjen “Kastriot i Vjetër”, ku kishte 119 debitorë nga të cilët 18 janë biznese.

“Këtu kemi 119 debitorë familjarë e privatë. Deri tani u është ndërprerë energjia 18-19 prej tyre. Nëse do të duan të paguajnë detyrimet, ata të paraqiten pranë zyrës së OSSH-së”, ka deklaruar Ermal Murati, drejtor pranë Departamentit të Arkëtimeve.

Për abonentet të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë, Operatori i Shpërndarjes do të aplikojë pagesat me këste.

“Ekziston një skemë pagesash, ku për ata abonentë që nuk kanë mundësi financiare, të paraqiten tek zyrat tona për të bërë një marrëveshje për t’i shlyer detyrimet me këste”, ka sqaruar Murati.

Operatori i Shpërndarjes thotë se kanë qenë të shumta edhe rastet kur kjo kompani i është drejtuar prokurorisë për raste abuzive të mospagesës së energjisë apo të vjedhjes së saj.

Top Channel