Më pak fonde për institucionet

21/07/2010 20:05

Mazhoranca në Komisionin e Ligjeve hodhi poshtë propozimin e opozitës për të mos i shkurtuar fondet Presidencës, Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke lënë në fuqi propozimin e Ministrisë së Financave.

Ndërsa për disa institucione të tjera të pavarura u rekomandua ulja e shkurtimit të shpenzimeve në masën që ata kërkuan.

Gjatë seancës dëgjimore, të kërkuar nga opozita, kohën më të madhe e mori Gjykata Kushtetuese, e cila kishte vetëm një kerkesë prioritare, mundësimin e rimarrjes në punë të 11 shoferëve, të nxjerrë nga organika pas hyrjes në fuqi të ligjit për makinat e zyrtarëve të lartë.

Neni që prekte sistemin gjyqësor u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. Duke qenë se kjo organikë e shkurtuar në buxhet qëndroi në fuqi, opozita e interpretoi heqjen e 5.7 milionë lekëve si hakmarrje të mazhorancës ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Përfaqësuesit e Gjykatës Kushtetuese po ngrenë problemin e funksionalitetit dhe theksojnë se shkurtimi i buxhetit u ndërpret funksionalitetin”, ka deklaroi deputeti i PS, Pandeli Majko.

E menjëhershme ishte replika e kryetarit të komisionit, Ilir Rusmali, i cili u shpreh se ky qëndrim i opozitës vjen si pasojë e krizës së brendshme të saj.

“Këtu po bëhen përpjekje për të mbuluar krizën e brendshme të PS. Tentuat ta fusnit edhe në institucione të tjera, edhe në Parlamentin Evropian, por dështuat. Tani po përgatiteni ta fusni atë brenda Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Rusmali.

Një pakënaqësi të ngashme, Rusmali shprehu edhe për mungesën e përfaqësuesve të Presidencës në seancën dëgjimore të Komisionit të Ligjeve, e cila ishte e fundit për këtë sesion parlamentar.

Top Channel