Rama: Shkurtimi i buxhetit nuk zgjidh krizën

20/07/2010 13:40

Kryetari i Partisë Socialiste deklaroi se shkurtimi i buxhetit është një përpjekje e vonuar e qeverisë që nuk do të zgjidhë krizën në të cilën është futur Shqipëria.

Duke folur në një konferencë për shtyp nga ambientet e selisë së PS-së, Rama theksoi se shumë shpejt do të ketë shkurtim tjetër buxheti, pasi qeveria do të jetë ngërthyer më keq nga kriza.

“Qeveria nuk i doli përballë në kohën e duhur krizës. Kriza është shumë më e rëndë sa na e tregojnë shifrat e renditura zyrtare. Në kutitë e mbyllura të ekonomisë mbahen të fshehura të dhënat e sakta nga Banka e Shqipërisë, INSTAT dhe qeveria”, tha Rama.

Rama shpreh shqetësimin për rëndimin gjithnjë e më tepër të situatës dhe shtrëngimin e lakut të krizës së gjithanshme për qytetarët.

“Kur të dalë realiteti në dritë, Shqipëria do të tronditet si nga manipulimi i neveritshëm i Ruzhdies dhe i Ruzhdieve të tjera që rrinë të mbyllura në pritje të hetimit parlamentar”, u shpreh Rama.

Top Channel