“Thahet” Patosi, 5 ditë pa ujë

17/07/2010 21:45

Rreth 35 mijë banorë në qytetin naftëtar të Patosit, që prej 5 ditësh vuajnë mungesën e ujit të pijshëm në familjet e tyre.

Banorët thonë se mungesa e ujit në këto dite të nxehta vere është një veprim i patolerueshëm nga ana e ujësjellësit.

Drejtuesit e këtij institucioni në Patos thonë se kanë marrë masat për furnizimin normal të popullatës gjatë gjithë stinës së verës, por pengohen nga O.SSH-ja.

Shkak për mungesën e ujit është ndërprerja me dhe pa orar e energjisë elektrike. Kryeinxhinieri i ujësjellësit të Patosit, Muharrem Resuli thotë se ndërprerja e energjisë elektrike shkakton probleme te tubacionet dhe pompat që ndihmojnë në furnizimin me ujë të qytetit.

Mungesa prej 5 ditësh e ujit të pijshëm është shqetësim edhe për kreun e bashkisë Patos, Bardhi Meli, i cili thotë se nuk është rasti i parë që qyteti vuan nga ndërprerjet e ujit.

Top Channel