Pakënaqësitë e FMN-së: Qeveria të rishikojë taksat

16/07/2010 15:00

Përtej deklaratave të zbutura në publik, debatet e FMN-së me qeverinë për administrimin e  fiskal janë më të nxehta. Në dokumentat zyrtare të publikuara pas vizitës së misionit në Tiranë, FMN përdor një ton më të fortë në rekomandimet që i bën qeverisë shqiptare duke shkuar deri aty sa të kërkojë rritje të taksave.

“Disa reforma për uljen e taksave që janë ndërmarrë në të kaluarën duhet të rishikohen,” thotë raporti zyrtar që misioni i FMN-së ka hartuar pas përfundimit të vizitës në Tiranë.

FMN kërkon nga qeveria të rishikojë uljen e kontributeve me 5 pikë përqindje që ajo ndërmorri në maj të vitit të kaluar. Sipas ekspertëve të fondit, kjo masë jo vetëm që nuk dha efektin e dëshiruar për rritjen e të ardhurave, por përkundrazi ajo e përkeqësoi deficitin e skemës së pensioneve me 2.5 pikë përqindje ndaj Produktit të Brendshëm Bruto, të cilin FMN e konsideron një nivel shumë të lartë për Shqipërinë. Fondi kërkon gjithashtu nga qeveria që të ndërmarrë nje strategji urgjente për të luftuar ekonominë informale. Në fund FMN i kërkon qeverisë që për katër vitet e ardshme të ndërmarrë një politike të shtrënguar buxhetore dhe realiste.

Ekspertët e fondit ngrene shqetësimin se strategjia e qeverisë për të reduktuar borxhin publik, gjatë tre viteve të ardhshme më së shumti bazohet në parashikimet optimiste të qeverisë për mbledhjen e të ardhurave, të cilat nuk janë në linjë me parashikimet e FMN-së, cka mund të rezultojë me përkeqësim të metjshëm të borxhit.   

Top Channel