Opozita kundër Bodes e Priftit

11/07/2010 20:45

Opozita ka sulmuar Ministrinë e Financave, duke kërkuar dorëheqjen e Ridvan Bodes.

“Ministri i Financave të Shqipërisë, i diplomuari i “kursit ‘97”, duhet të japë dorëheqjen e menjëhereshme, si përgjegjës kryesor për buxhetin e dështimit 2009 dhe si krijuesi i buxhetit krizë të 2010 – para se të fundosë përfundimisht ekonominë shqiptare, për herë të dytë, nën peshën e një borxhi publik kriminal”, deklaroi në një konferencë për shtyp Sekretari i Këshillit Ekonomik në PS, Ervin Bushati.

Por veç ministrit Bode, socialistët kanë akuzuar edhe ministrin Dritan Prifti, i cili duhet të sqarojë shtimin marramendës të pasurisë së tij personale.

“Drejtësia duhet të veprojë për të sqaruar shqiptarët si mund të shtohet pasuria e një ministri me 1.8 milion euro gjatë vitit që ai ka qënë ministër i kabinetit Berisha dhe pse kjo pasuri nuk ka patur rritje të tilla edhe gjatë viteve të mëparshme kur Prifti nuk ishte në koalicionin korruptiv me Berishën”, deklaroi në një tjetër konferencë shtypi, deputeti socialist Ervin Koçi.

Por ndërsa socialistët kanë akuzuar ministrin e LSI-së Prifti, zv/kryetarja e kësaj force politike, Filloreta Kodra ka bërë një ekspoze të rezultateve të sjella nga bashkëpunimi me Partinë Demokratike, sidomos në sfondin social, ku përfshihen ligjet e miratuara për mbrojtjen e fëmijëve, grave, personave me aftësi të kufizuara, komunitetit rom, rritjen e pagave e pensioneve.

“LSI ka patur një program social  me objektiva të përcaktuar qartë sidomos për mbrojtjen dhe zhvillimin e shtresave në nevojë, duke filluar që nga fëmijët e deri tek mosha e tretë. Koalicioni  PD/LSI bëri të mundur që shumë prej synimeve sociale të programit të LSI-së të jenë tashmë pjesë e programit qeverisës, për të cilët është bërë punë konkrete , disa prej tyre kanë filluar të zbatohen, të tjerë janë në rrugën e zgjidhjes”, deklaroi zv/kryetarja Filloreta Kodra.

Top Channel