“Zgjedhjet”, Balla: Komision i ri hetimor parlamentar

10/07/2010 12:55

Deputeti socialist Taulant Balla deklaroi se hetimi i zgjedhjeve duhet bërë nga një komisioni i ri parlamentar.

Sipas deputetit rezoluta e Partisë Socialiste e nxjerr jashtë loje komisionin e ngritur me votat e PD-së, ndërsa theksoi se zgjidhja e krizës fillon nga hetimi i menjëhershëm i zgjedhjeve të shkuara.

“Parlamenti Europian kërkon ngritjen e një komisioni të ri hetimor, duke e bërë nul përfundimisht komisionin e Saliut. Komisioni i ri hetimor duhet të ketë rregulla të qarta, shumicë të opozitës dhe të drejtohet nga opozita. Rezoluta e Parlamentit Europian shkon edhe më tej, duke kërkuar që komisioni i ri hetimor, me shumicë dhe kryetar të opozitës, të ketë mandat për të hetuar materialet elektorale të zgjedhjeve të fundit”, u shpreh Balla.

Deputeti socialist theksoi se zgjidhja e krizës politike kalon vetëm përmes hetimit dhe bërjes së transparencës se zgjedhjeve të kaluara, jo për të ndryshuar rezultatin, as për të rinumëruar votat, por për të kuptuar qartë manipulimet që kanë ndodhur më 28 qershor.

Top Channel