Bode: Rishikimi i buxhetit ul rritjen ekonomike

09/07/2010 20:05

Rishikimi i buxhetit dhe shkurtimi i shpenzimeve të propozuara nga qeveria me 39 miliardë lekë, ka ulur parashikimin e saj per rritjen ekonomike të këtij viti nga 5.5 % ne 4.1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Kjo shifer është dhene nga ministri i Financave, Ridvan Bode, në prezantimin e projektbuxhetit ne konferencen e kryetarëve, përpara se komisionet parlamentare të marrin në shqyrtim propozimin e ri të qeverisë.

Por, megjithese te ardhurat ne buxhetin e shtetit propozohen te ulen me 27.2 miliarde leke, Bode u tregua i qete per ecurine e ekonomise shqiptare gjate ketij viti, pasi edhe ky rishikim do te sjelle ne arken e shtetit, sipas llogaritjeve, me shume te ardhura se vitin e kaluar.

“Në buxhetin që propozojmë, programojmë një rritje të të ardhurave prej 11.4% më shumë, në krahasim me buxhetin faktit të vitit 2009. Dhe kjo përbën një rritje më të lartë se mesatarja 10 vjecare. Pra, kemi të bëjmë me një programim realist, por që bazohet gjithashtu mbi një rritje ekonomike realiste dhe mbi mundësitë tona të brendshme për të shkuar dhe për të materializuar këtë nivel të të ardhurave në buxhet. Pra, në fund të vitit, të ardhurat në buxhetin e shtetit do të jenë 334 miliardë lekë”, shprehet Bode.

Aty ku qeveria ka nderhyre me shume per te shkurtuar fondet jane shpenzimet qeveritare dhe administrative, qe sipas ministrit te Financave arrijne nivelin me te ulet historik te tyre.

“Me disa reforma të ndërmarra nga qeveria, që kanë të bëjnë me transportin, por edhe me disa reforma të tjera, që janë duke u thelluar dhe, që kanë të bëjnë me shpenzimet e tjera adminsitrative, ne zbresim në minimumin historik të shpenzimeve administrative, në 2.5% të Prodhimit të Brenshem Bruto, në total, dhe shpenzimet qeveritare, duke i zbritur në 0.8% të PBB nga 1.5%, që kanë qenë në vitin 2005”, shtoi ministri.

Sipas ministrit te Financave, nga rishikimi i buxhetit nuk preken disa prioritete kryesore te qeverise, rritja e pagave dhe pensioneve, si dhe investimet publike. Ndryshimi kete vit, persa i perket investimeve eshte se fondet qeveritare nuk do te hidhen ne vepra te reja publike. “Ajo që ka ndodhur me investimet publike është bllokimi i tenderimeve të reja, pra, hapja e veprave të reja. Por do të intensifikohet financimi i veprave ekzistuese. Në këtë buxhet, me gjithë shkurtimin e shpenzimeve që këmi bërë. Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, për objektet në proces i janë shtuar edhe 4.3 miliardë lekë, në krahasim me parashikimin fillestar dhe me ngrirjen që ne kemi bërë në fillim të vitit”, vijoi ai.

Top Channel