Ngjela: Berisha shfrytëzoi 2 korrikun

08/07/2010 22:50

Përkujtmi i 2 korrikut me një manifestim në Qytetin Studenti prej kryeministrit Berisha ishte epiqendra e debatit mes të ftuarve në Top Story.

Për kreun e Partisë për Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela përkujtimi i Berishës ishte më karakter populist dhe në vendin e gabuar. Sipas tij kryeministri ndodhet në hall politik dhe përdor metoda të tilla për të mbajtur pushtetin.

“Ajo që bën ai njeri është e turpshme. Sa herë këta komunista dhe ish-komunista janë në hall për pushtetin bëjnë kështu mitingjesh. Ai njeri ka vjedhur votat. Ajo është ngjarje historike dhe ka moment historik dhe nuk mund të kthehet në një ngjarje populiste. Ky kërkon t’i marrë të gjitha. Ne jëmi ende të izoluar sepse na kanë drejtuar punistë, kanë drejtuar njerëz që nuk lejojnë ndërtimin e demokracisë institucionale”, tha gjatë fjalës së tij avokati Ngjela.

Fjala e zotit Ngjela u kundërshtua nga shkrimtari Bardhyl Londo i cili tha se në postin e kryeministrit të Shqipërisë, Berisha ka të drejtë të flasë dhe të përkujtojë 2 korrikun.

“Nga mënyra si po flitet këtu del se këto ngjarjet paskan një pronar. Ai ka të drejtë të flasë sepse është kryeministër i Shqipërisë”, tha zoti Londo.

Në minutat e fundit të emisionit të ftuarit ndanë mendimet e tyre mbi 2 korrikun duke e cilësuar ata si ngjarja që rrëzoi “tullat e para të Murit të Berlinit në Shqipëri”.

Top Channel