Berisha: Përmirësuam klimën e biznesit

08/07/2010 19:30

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në mbledhjen e sotme të qeverisë, se Shqipëria ka bërë progrese të ndjeshme në përmirësimin e klimës së biznesit, duke kaluar vendet e zhvilluara dhe ato të rajonit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha e ka vënë theksin tek vlerësimi që Shqipëria ka marrë nga OKB-ja, të cilin e ka cilësuar si një stimul për të rritur përpjekjet për përmirësimin e mëtejshëm të fushës së biznesit.

“Shqipëria tejkalon me 5 për qind vendet e zhvilluara dhe me 2 për qind vendet e rajonit. Ndërsa për të hapur një biznes Shqipëria arrin në 98 për qind. Vlerësimi i OKB përbën një ndër arritjet më madhore në vlerësimin e reformave tona në drejtim të përmirësimit të klimës së biznesit. Është mesazhi më i shkëlqyer që vendi u dërgon institucioneve ndërkombëtare të biznesit. Të shtohen përpjekjet dhe Shqipëria të kapë 98 për qind në cdo fushë që ka të bëjë me biznesin”, ka pohuar Berisha.

Kryeministri ka rikonfirmuar edhe njëherë planin e qeverisë së tij për rritjen e rrogave dhe pensioneve, skemë që sipas tij nuk do të prekë borxhin.

“Rritja e rrogave dhe pensioneve vjen në një kohë kur në tërësi rrogat po ulen. Por ne nuk kemi arsye të heqim dorë nga premtimi ynë. Të ardhurat e realizuara këtë 6 muajor prej 151 miliardë lekësh bëjnë të mundur rritjen e rrogave të administratës mbi bazën e këtyre të ardhurave dhe pa asnjë ndikim tek borxhi”, ka nënvizuar Berisha.

Kreu i qeverisë ka saktësuar se, do rriten rrogat e infermierëve me 9%, të mësuesve me 6%, forcave të armatosura, nënpunësve të prefekturave, të agjentëve të policisë për mbrojtjen nga zjarri, atyre të SHISH, të sistemit doganor, të shërbimit pyjor dhe të sistemit tatimor, nga 4 në 5.2%.

Berisha ka shtuar më tej se do rriten gjithashtu me 10 përqind rrogat e ulëta dhe nuk do të rriten këtë herë rrogat e larta.

Top Channel