Fëmijë të vegjël nga mosha 0 deri në 12 vjeç, të rritur, të moshuar, por edhe pacientë kronikë, janë gjetur këto ditë në ambiente të njëjta.
Qendrat shëndetësore të lagjeve në kryeqytet, poliklinikat, e sidomos urgjencat pranë spitalit universitar “Nënë Tereza”, duke nisur nga fundjava e deri dje, kanë pritur e përcjellë pacientë nga i gjithë vendi. Fluksi më i madh i pacientëve kryesisht vuan nga virozat e stinës, ndryshimet e menjëhershme atmosferike dhe rritja e temperaturave me disa gradë Celsius.
Por jo vetëm kaq, problemet e helmimeve nga ushqimet, nga alkooli i tepruar apo i pakontrolluar, si dhe konsumi i produkteve të ruajtura në vende të papërshtatshme, kanë sjellë shtim të rasteve të qytetarëve që janë helmuar apo kanë pasur shqetësime gastro-intestinale.
Sipas bilancit statistikor, kryer ditët e fundit pranë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”, rezulton që çdo ditë në urgjencën e pediatrisë paraqiten nga 150-200 raste fëmijësh të sëmurë. Këto shifra, vetëm përgjatë 24 orëve.
Po ashtu, urgjenca e kardiologjisë pret dhe përcjell brenda një ditë-nate nga 100 deri në 150 pacientë me probleme kardiake, luhatje të tensionit, apo shqetësime të tjera, të bëra “peshqesh” jo vetëm nga sëmundje kronike, por edhe nga temperaturat e larta që kanë përfshirë vendin tonë javën e fundit.
Një tjetër shërbim me fluks pacientësh është edhe pavijoni i infektivit. Për shkak të virozave, helmimeve, problemeve me temperaturën e lartë, viroza të stinës dhe shqetësimeve të tjera stinore, në këtë repart paraqiten çdo ditë nga 60-80 qytetarë. Pasi marrin mjekimin e nevojshëm dhe kujdesin shëndetësor, largohen. Të tjerë, me probleme më serioze, qëndrojnë të shtruar për të qenë më pranë vëzhgimit të mjekut.
Ndërsa ndodhemi në stinën e nxehtë dhe me probleme të mëdha për shëndetin, nëse nuk duhet të sëmuremi dhe të kalojmë ditë të bukura, secili prej nesh duhet të respektojë disa rregulla në bazë të disa ndarjeve dhe kategorive. Drejtoria e Higjienës, e cila ka afishuar rregullat, si dhe mjekët e fëmijëve, të rriturve dhe specialistët e urgjencave, kanë një paketë sugjerimesh për të vegjlit, fëmijët, të rriturit, moshën e tretë e pacientët kronikë.
Këshillohet dalja në mëngjes ose në mbrëmje, pas orës 19:00, qëndrimi në ambiente të freskëta, ajrosja e shtëpisë, veshja e lehtë me materiale të përshtatshme për stinën. Mjekët këshillojnë konsumin e lëngjeve, frutave, ushqimeve me pak kalori, pa yndyrë, pa sheqer, jo alkool, jo duhan. Gjithashtu të ruhen dhe konsumohen ushqimet sipas kushteve të nevojshme.
Është i nevojshëm konsumi i të paktën 2 litrave ujë në ditë. Jo vetëm për kategoritë “delikate”, por edhe për të rinjtë, apo personat energjikë, këshillohet ruajtja e kokës dhe qafës nga dielli, përdorimi i kapelave, konsumi i lëngjeve, si dhe qëndrimi në ambiente të freskëta. Për fëmijët e vegjël, pediatrit rekomandojnë freskim dhe banja me ujë të vakët.
Top Channel