Qeveria: Më shumë studentë

07/07/2010 20:05

Një vendim, sipas kryeministrit i rëndësishëm, i miratuar në mbledhjen e qeverisë i përket kuotave për universitetet publike të vendit.

“Këtë vit akademik pranohen në universitetet publike të vendit 23.534 studentë, në 181 degë dhe profile të këtyre shkollave”, ka deklaruar Berisha.

Synimi i deklaruar i qeverisë, sipas kryeministrit, është që në tre vitet që vijnë të arrihet në 150 mijë studentë në shkollat publike dhe private të vendit.

Këtë vit, në arsimin publik, janë rritur thuajse tre herë pranimet në shkencat e shoqërisë së informacionit dhe teknologjisë së lartë.

Këtë të dhënë kryeministri e ka përzemër, sepse sic thotë ai, kjo rritje e kuotave te shkencat e shoqërisë së informacionit është e domosdoshme për ndërtimin e Shqipërisë dixhitale.

Në të njëjtën mbledhje, kryeministri rrëzoi propozimin e ministrit të Arsimit për rritjen e tarifës së shkollimit.

“Pjesa e dytë vjen në kundërshtim të hapur me një zotim solemn elektoral dhe postelektoral se, sa të votojnë këtë qeveri tarifat e shkollimit nuk do të rriten. Ua bëni të ditur drejtuesve të universiteteve, se qeveria do t’i kompensojë me buxhet. Unë e kuptoj se me ministrin e Financave këto janë rakorduar me rektoratet, por ky është një zotim që e kam marë në mënyrë publike, që tarifat nuk mund të rriten. Për këtë kam premtuar dhe kam bërë fushatë nëpër Shqipëri”, është shprehur Berisha.

Sipas kryeministrit, në buxhetin e këtij viti për arsimin një zë i rëndësishëm do të jetë zëri i teksteve, si një kusht i thelbësor për të rritur cilësinë e mësimdhënies.

Top Channel