
Kryeministri belg në detyrë, Yves Leterme kaloi jo pa siklet sfidën e parë përpara eurodeputetëve.
“Natyrisht që jeni të shqetësuar për faktin që në vendin tim u mbajtën zgjedhjet dhe negociatat për formimin e qeverisë së re do të marrin ca kohë. Qeveria ime është ajo që quhet “qeveria kujdestare”, por dua t’ju siguroj se kjo nuk do të cënojë aspak vrullin dhe entuziazmin e presidencës sonë”, ka deklaruar Leterme.
Por reagimi i eurodeputetëve ka qenë i ashpër, duke theksuar se BE nuk mund të drejtohet nga një vend i ndarë në dysh.
“Përballë nesh kemi një kryeministër “kujdestar” dhe nuk mund të bëjmë sikur gjithcka shkon normalisht, sepse nuk është aspak kështu. Ju nuk keni legjitimitet këtu, zoti Yves Leterme. Kjo është e jashtëzakoshme. Një vend që po kërkon të cahet më dysh, po i tregon 26 vendeve të tjera anëtare se cfarë duhet të bëjnë ato”, ka deklaruar James Elles, eurodeputet britanik.
Në seancën plenare, presidenca belge paraqiti objektivat themelorë të BE-së për 6 muajt e mandatit të saj, duke nisur me qeverisjen e re ekonomike e financiare.
Kriza që nuk u shkaktua nga Europa, dëshmoi, me renien e monedhes EURO, se ekonomia europiane bazohet në banka dhe jo industri, tha Leterme, duke propozuar rritje ekonomike të qëndrueshme në nivelin 2%, luftë ndaj varfërisë, rritje të orarit të punës dhe efikasitet për të përkthyer inovacionet teknologjike në produkt përfundimtar, ku SHBA dhe Kina, sipas tij, dukshëm tejkalojnë Europën.
Zgjerimi ishte ndër prioritetet e fundit që përmendi kryeministri Belg. Sipas tij, procesi bazohet në merita individuale por ai vecoi Kroacinë dhe Maqedoninë, dy vende që presin nje datë konkrete nga Unioni respektivisht për anëtarësimin dhe celjen e negociatave.
“Unioni duhet të zhvillojë mjete të tjera për të sjellë të tjerët në bord e për të krijuar koalicione të qëndrueshme për objektivat e tij. Kjo kërkon më shume se kurdoherë që Unioni të flasë njëzëri e preferohet përmes një goje”, ka pohuar Leterme.
Presidenca belge ka siguruar Komisionin se shërbimi i ri diplomatik i Unionit do të implementohet deri në fund të vitit, si dhe që Këshilli Europian do të miratojë rekomandimin e Komisionit për përkthimin zyrtar të cdo norme juridike në vetëm 3 gjuhët kryesore, anglisht, frengjisht dhe gjermanisht, duke reduktuar ndjeshëm shpenzimet e buxhetit të përbashkët.
Top Channel