Gjenden tre parcela me kanabis në Qerret të Rrethit të Pukës, pranga kryeplakut të fshatit.
Preng Vukaj, 59 vjeç, është ndaluar mbrëmjen vonë të së hënës nga Policia e Qarkut Shkodër, pasi në territorin ku ai ushtronte funksionin e kryeplakut, janë gjetur 340 rrënjë kanabis sativa.
Burime të policisë lokale bëjnë të ditur se Vukaj pak ditë më parë kishte deklaruar përpara agjentëve të policisë së Antidrogës se në fshatin Qerret nuk ishte mbjellë asnjë rrënjë kanabis. Pas këtij deklarimi, agjentët e Antidrogës kanë verifikuar informacionin që kishin marrë në rrugë operative dhe në një lagje të këtij fshati kanë gjetur tri parcela, ku ishin mbjellë 340 rrënjë kanabis sativa.
Bima narkotike ishte mbjellë në një tokë publike, pa pronarë. Pas gjetjes dhe asgjësimit të lëndës narkotike, uniformat blu i kanë vënë prangat kryeplakun nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Ky është rasti i parë për këtë vit në Qarkun e Shkodrës, që një përfaqësues i pushtetit vendor bie në prangat e policisë për moskallëzim të zonave ku është kultivuar bimë narkotike.
Pak ditë më parë, në një takim të organizuar në Prefekturën e Shkodrës në lidhje me masat e marra për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, kryepleqtë e zonave të thella malore të qarkut ngritën shqetësimin se e kishin tepër të vështirë të mbanin nën kontroll zonat e thella malore. Të tilla ishin Dukagjini, Shllak, Temal, Vermosh etj., ku distancat nga qendrat e fshatrave janë rreth 4 orë larg dhe mungojnë rrugët e komunikimit.
Kryepleqtë i kërkuan prefektit të Shkodrës që të ndërhyjë në instancat më të larta shtetërore, që këto zona të kontrollohen me helikopter ose nëpërmjet fotografimit satelitor.
Ndërkohë kjo nuk është hera e parë që në Qarkun e Shkodrës kryepleqtë përfundojnë nën pranga. Një vit më parë kryepleqtë e zonave të thella të Dukagjinit dhe Gurit të Zi përfunduan në pranga pasi nuk kishin deklaruar se në zonat që ata kishin nën administrim ishte kultivuar kanabis sativa.
Muaji korrik shënon dhe fillimin e aksioneve të policisë për asgjësimin e bimëve narkotike. Duke qenë një ndër qarqet më problematike në vend për kultivim e kanabisit, blutë e Shkodrës kanë hartuar dhe një hartë të zonave problematike ku duhet të përqendrohet dhe vëmendja e tyre në parandalimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike.
Vitin e kaluar, në Qarkun e Shkodrës u asgjësuan rreth 22345 rrënjë bimë kanabis sativa. Ndërkohë për policinë e rrethit më të madh verior problem mbeten parcelat pa pronarë, ku kultivohet kanabis, pasi është e vështirë të identifikohen autorët dhe vënia e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.
Top Channel