Kontrolli i furrave të bukës dhe kushteve higjieno-sanitare, në të cilat bëhet ruajtja dhe tregtimi i produkteve ushqimore, ishin në qendër të aksionit që ka ndërmarrë Inspektorati i Kontrollit Ushqimor së fundmi.
Në kuadër të inspektimeve që organizohen zakonisht gjatë sezonit të verës, dje u zhvillua një monitorim i përbashkët i IKU-t dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Vëzhgimi ka nisur nga Rruga e Kavajës deri në Kombinat, duke trokitur te të gjitha furrat e bukës që ndodhen në këtë zonë.
Objektivi i këtij kontrolli synon sidomos evidentimin e problemeve në lidhje me sigurinë dhe cilësinë e produkteve ushqimore. Por, mbi të gjitha, ai ka për qëllim marrjen e masave për eliminimin e fenomeneve, që cenojnë shëndetin dhe interesat e konsumatorit dhe konkurrencën e ndershme në treg. Inspektimi i djeshëm u përqendrua në problematikën aktuale të prodhimit të bukës.
Nisur nga kjo, kontrolli u përqendrua në lëndën e parë, në certifikatën e origjinës dhe të cilësisë, te kushtet e magazinimit, ruajtjes, përpunimit, cilësisë dhe sigurisë së produktit përfundimtar.
Rezultatet e konstatuara deri më tani, nga puna e kryer në terren, sipas Inspektoratit të Kontrollit Ushqimor, kishin kushte të mjaftueshme për sigurinë e produkteve ushqimore. Nga ana tjetër, u kontrolluan edhe kushtet higjieno-sanitare të ambienteve ku prodhohet buka, kushtet tekniko-teknologjike të këtij procesi, si edhe pajisja e stafit me librezë shëndetësore dhe përgatitja e tyre profesionale.
Përparësi të veçantë pati edhe inspektimi për sa i përket eliminimit të faktorëve që çojnë në shfaqjen e sëmundjes së patates, e cila në kushtet e temperaturave të larta bëhet me evidente dhe kërkon një përkujdesje të veçantë. Inspektorët e monitoruan me përparësi këtë problem, duke iu kërkuar të gjithë operatorëve që të zbatojnë me rreptësi normat tekniko-teknologjike dhe higjieno-sanitare për të bërë të mundur parandalimin e kësaj sëmundjeje.
Disa prej subjekteve, të cilat ishin në qendër të kontrollit, kishin të afishuar një njoftim mbi sëmundjen e patates, fakt që vërteton njohuritë që kanë ata mbi pasojat e kësaj sëmundjeje. E megjithatë, krahas kësaj, inspektorët preferuan që të marrin disa mostra buke, për të analizuar lëndën e parë, që në këtë rast është mielli.
Këto kontrolle do të shërbejnë si një fazë përgatitore gjatë kalimit të funksioneve të inspektimit nga strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ministrisë së Shëndetësisë dhe organeve të qeverisjes vendore, tek Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
Top Channel