
Gjatë fjalës së tij në seancën e Parlamentit Evropian, komisioneri për Zgjerimin Shtefan Fyle ka folur edhe për Kosovën, e cila sipas tij mbetet një prioritet për BE-në.
Fyle ka nënvizuar se Kosova ndodhet në një moment të rëndësishëm para vendimit të GJND-së, por ka theksuar se BE do ta mbështesë atë cilido që të jetë vendimi.
“Kosova mbetet një prioritet, pasi mbështetja e saj është jetike përpara vendimit të gjykatës së Hagës”, ka deklaruar Fyle.
Komisioneri ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në veri të Kosovës, por duke komentuar vizitën e tij të fundit në këtë zonë, ka nënvizuar se edhe komunitetet e tjera në të kërkojnë integrimin evropian.
“Komuniteti në veri është i hapur për integrimin në BE dhe BE do t’i mbështesë këto komunitete”, ka pohuar Fyle.
Ai ka folur më tej edhe për cështjen e vizave, duke kërkuar që Kosova të vijojë në drejtimin që ka nisur për të arritur heqjen e tyre.
“Edhe për cështjen e vizave Kosova po ecën përpara dhe duhet të vazhdojë kështu, në mënyrë që kur të plotësohen kushtet të hiqen vizat”, ka nënvizuar Fyle, duke shtuar se viti i ardhshëm do të jetë i rëndësishëm për Ballkanin.
Top Channel