Drenovë, tre të dënuar “në grevë”

07/07/2010 08:45

Familjarët e tre të dënuarve të burgut të sigurisë së lartë të Drenovës pretendojnë se fëmijët e tyre kanë hyrë në grevë urie, madje kanë tentuar të presin damarët.

Shkak është bërë mospranimi i kërkesës së tyre për t’i transferuar drejt burgjeve të tjera, si dhe keqtrajtimi dhe mbajtja në izolim për një kohë të gjatë. Kanë qenë familjarët e Gentjan Kostës, Teodor Grazhdanit dhe Markel Bushos, që pretendojnë se tre të dënuarit keqtrajtohen dhe u privohet e drejta e takimeve me familjarët.

Ata deklarojnë se do t’i drejtohen dhe institucionit të Avokatit të Popullit për të verifikuar dyshimet e tyre. Nënat e tre të dënuarve pretendojnë se prej një muaji ato nuk lejohen të kryejnë takime me fëmijët, ndërsa kanë mësuar për grevën nga telefonatat e të burgosurve të tjerë.

Marianthi Kosta, nëna e njërit prej të dënuarve, ka thënë se ka dyshime që i biri është keqtrajtuar dhe për këtë shkak nuk lejohen takimet me familjarët.

Ndërkohë, sipas saj, kanë qenë shokët e të dënuarit që e kanë sinjalizuar se shpesh herë ai mbyllet në izolim dhe keqtrajtohet. “Ata nuk i nxjerrin as për ajrim. Djali im ka prerë damarët e duarve para ca kohësh. Nuk duam të transferohen, se nuk kemi mundësi të shkojmë në qytete të tjera, se jemi pensionistë, por në burg i keqtrajtojnë. Nuk e kuptojmë se çfarë po ndodh aty brenda”, thotë Hava Busho.

Ndërkohë, burime zyrtare nga burgu mohojnë që tre të dënuarit të jenë keqtrajtuar. Ndërsa konfirmojnë se ata janë izoluar, por vetëm në rastet kur kanë shkelur ligjin. “Nuk ka pasur asnjë rast të keqtrajtimit ndaj tyre apo refuzimit të ushqimit. Për sa i përket transferimit, këta tre të dënuar nuk kanë marrë ende një vendim të formës së prerë nga gjykata dhe si rrjedhojë nuk mund të ndërmerret transferimi, vetëm në rast se kërkohet prej tyre. Për rastin e izolimit, kjo masë është marrë vetëm në rastet kur kanë shkelur rregullat”, është shprehur një prej zyrtarëve të burgut të sigurisë së lartë në Drenovë.

Tre të burgosurit janë dënuar me 12 vjet heqje lirie për grabitjen e armatosur të klientëve në një kazino ilegale në dalje të qytetit të Korçës, me pasojë plagosjen e tre personave.

Top Channel