Berat, ushqime të skaduara në dyqane

07/07/2010 08:10

Produkte të skaduara, pa kurrfarë vlere ushqimore, ose prodhime të cilave për pak kohë u mbaron skadenca, janë blerë nga qytetarë në dyqanet apo pikat e tregtimit në lagjet periferike të Beratit.

Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria e Higjienës pranë këtij qyteti. Kontrollet kanë kapur në shkelje marketet larg zemrës së qytetit, megjithatë ende kontrollet nuk kanë referuar se produkte të tilla shiten edhe në qendër apo vende të tjera.

Sipas inspektorëve të higjienës, në lagjet ku janë kontrolluar pikat e tregtimit të ushqimeve, janë kapur në shkelje disa tregtarë, të cilët shisnin mallra të skaduara, apo shumë pranë afatit të skadencës. Subjektet janë gjobitur, ndërkohë që Drejtoria e Higjienës bën apel për qytetarët që të kontrollojnë produktet që blejnë si dhe t’i ruajnë e konsumojnë ato sipas standardeve të kërkuara që zakonisht shkruhen në etiketat e tyre.

Rritja e temperaturave gjatë ditëve të fundit ka shtuar kontrollet intensive të specialistëve të bujqësisë dhe mbrojtjes së konsumatorit, për sigurinë e produkteve ushqimore. Burime pranë Drejtorisë së Bujqësisë në qytetin e Beratit bëjnë me dije se ditët e fundit specialistët e sektorit të mbrojtjes së konsumatorit, së bashku me specialistë të higjienës, kanë ushtruar kontrolle të imtësishme në pikat e tregtimit të shumicës, lokale, si dhe dyqane ushqimore.

Specialistët kanë kontrolluar kryesisht për datat e skadencave për pijet freskuese, si dhe ushqimet e “shportës” së përditshme. Nga këto kontrolle të ushtruara ka rezultuar se në dyqanet e lagjeve periferike vazhdonin të tregtoheshin produkte ushqimore të skaduara dhe shumë afër datës së skadencës. Specialistët menjëherë kanë marrë masa për bllokimin e produkteve të skaduara, si dhe i kanë gjobitur pronarët e tyre me gjoba që variojnë nga pesë mijë deri në 100 mijë lekë të vjetra.
 

Top Channel