Rama: Berisha po rrënon financat

02/07/2010 15:20

Kryetari i Partisë Socialiste bëri një panoramë të zymtë të gjendjes ekonomike në vend. (UPDATE)

Sipas tij, qeveria sot nuk ka para. Për të kryer funksionet normale të shtetit, qeveria sipas zotit Rama, po merr kredi të mëdha në sektorin bankar privat, duke prekur depozitat e qytetarëve, që në kohë normale duhet të kreditonin biznesin privat.

“Qeveria nuk ka dhe nuk mbledh dot para. Në 5 muaj janë mbledhur më pak para se c’duhet të ishin, për shkak të krizës, të papunësisë dhe korrupsionit. Familjet shqiptare po marrin rritje pensionesh nga depozitat e tyre”, tha Rama.

Në këto kushte, zoti Rama pohoi se as rritja e pensioneve në qytet dhe në fshat nuk është reale, por demogogji. Rritja e pensioneve, sipas zotit Rama, zhvlerësohet nga rritja e cmimeve.

“Nuk ka rritje. Vetëm me faturën  e dritave dhe të ujit, pensionistëve u janë marrë 30 mijë lekë, ndërsa qeveria u jep vetem 2 mijë deri ne 6100 lekë”, thotë Rama.

Si do të vepronte Partia Socialiste po të ishte në pushtet në këto kushte? Më e pakta, sipas zotit Rama, do të zbatonte një politikë tjetër, që ai e quajti të syve të hapura,  d.m.th më largpamëse dhe më transparente.

Top Channel