Qarqe të rëndësishme ndërkombëtare kanë hedhur dje në opinion një informacion për tratativa diplomatike mes Beogradit dhe Prishtinës për shkëmbim territoresh.
Nuk bëhet fjalë për zëra të parëndësishëm, por për një organizëm shumë të rëndësishëm siç është Grupi Ndërkombëtar i Krizave dhe drejtoresha e saj, Sabine Freizer. “Për çështjen e rirregullimit territorial, prej vitesh diskutohet pas dyerve të mbyllura”, i tha radios “Europa e Lirë” Sabine Freizer, drejtoreshë e GNK-së për Europën.
Sipas saj, këto diskutime janë të pranishme veçanërisht në Serbi, por fshihen nga opinioni. Kohëve të fundit duket se ka interes më të madh, veçanërisht në Beograd, që kjo çështje të hapet dhe që për të të bisedohet kur të fillojnë bisedimet teknike me përfaqësuesit e Kosovës.
Hapjen e çështjes së këmbimit të territoreve – veriu i Kosovës për Komunën e Preshevës- ajo e sheh si një preokupim qarqesh në Serbi, por nuk beson se ata paraqesin shumicën ose dominojnë në qeverinë aktuale. Në mesin e atyre që kanë këto ide, ka propozime të ndryshme – disa angazhohen që Serbia të marrë veriun e Kosovës, si kompensim për njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit, disa të tjerë angazhohen që të bëhet këmbim i territoreve, gjatë të cilit Serbia do të merrte veriun, ndërsa Kosovës do t’i jepej një pjesë e Luginës së Preshevës.
Pra, qarkullojnë skenarë të ndryshëm, për të cilët diskutohet në Beograd dhe ndoshta më pak në Prishtinë, por këto janë vetëm ide të hedhura që qarkullojnë dhe jo ndonjë plan i rrumbullakuar.
Idenë e shfaqur nga zyrtari serb, Oliver Ivanoviç, sipas të cilit Perëndimi, pas disa vitesh, mund të propozojë ndarjen e Kosovës, ajo e konsideron “manovrim politik, që topi të bartet nga oborri vetjak në Perëndim dhe kështu të hapet më lehtë hapësira për rrëfimin e ndarjes së Kosovës”. Sipas saj, mbase kështu arrihet efekti i bartjes së vëmendjes në Perëndim, që më lehtë të thuhet: Perëndimi ka pranuar idenë e ndarjes dhe tani është radha që edhe ne (Kosova dhe Serbia) ta hapim këtë çështje.
Siç dihet, më herët në Serbi nuk ka pasur disponim për konceptin e rirregullimit territorial, sepse kjo do të thotë se Serbia praktikisht njeh Kosovën si shtet të pavarur. Ndoshta tash kemi të bëjmë me evoluim në qëndrimet e Beogradit, pra me pajtimin me faktin se Kosova ka shkuar përgjithmonë dhe se ka ardhur koha që të hapet çështja e rirregullimit territorial.
Sabine Freizer i tha REL-it se askush nuk kërkon nga Serbia që nesër ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, por ajo duhet të ballafaqohet me bashkëbiseduesit nga Kosova, me të cilët duhet të bisedojë dhe të bëjë marrëveshje. Në praktikën ndërkombëtare, ka raste në të cilat dy palët bisedojnë, arrijnë marrëveshje, pa njohur njëra-tjetrën si shtet të pavarur. Është rasti i Kinës që ka bërë marrëveshje me Tajvanin, pavarësisht faktit që nuk e njeh si shtet të pavarur. Edhe në Qipro, pala turke dhe greke nuk kanë problem të ulen të bisedojnë, ndonëse nuk njihen reciprokisht.
Pra, kjo tregon se Kosova dhe Serbia mund dhe duhet të ulen në tryezën e bisedimeve.
Top Channel