Bode: Inspektimi financiar, i nevojshëm

01/07/2010 21:45

Ministri i Financave, Ridvan Bode ka mbrojtur në “Top Story” ligjin e Inspektimit Financiar të kundërshtuar ashpër nga opozita në parlament.

“Ky ligj parashikon ndryshimin nga kontroll i brendshëm në inspektim financiar sepse u shkatërrua nje strukturë dhe mbi këtë bazë u ngrit një model i ri. Kjo u dha mundësi drejtuesve të institucioneve që mund të identifikojnë në shkeljet brenda dikastereve. Inspektimi financiar është një mision jo permanent i administratës. Do jetë një listë shumë e madhe ekspertësh që do të përdoren për inspektime të caktuara. Nuk do ketë një program vjetor por do ngrihet një strukturë sa herë që lind nevoja”, theksoi Bode.

Ministri shtoi gjithashtu se nuk ka mbivendosje institucionesh sepse edhe me ligjet aktuale KLSH ka te drejtë të kontrollojë fondet publike. “Nuk do shkojme te kontrollojme sektorin privat. Se dyti nuk merr asnje kompetence qe nuk ka ekzistuar deri me sot. Ligji i inspektimit financiar ka qene nje angazhim i qeverise prej vitesh. I gjithë debati i sotëm reflektoi një krizë të opozitës me një kompleks të një komploti që i bëhet kësaj opozite. Në vend që opozita të jetë e para për të mbështetur të tilla struktura, bëhet pengesë”, shtoi Bode.

Ai vijoi duke thënë se qëllimi i inspektimit është që vetë kryetari i një bashkie t’i kërkojë ministrit të Financave një ekspertizë për hetimin e shpërdorimit të fondeve. “Në kushtet që jemi sot nuk ka asnjë strukturë për të bërë një verifikim konkret. Deri më sot kemi përdorur auditin por ata nuk kanë pasur të drejtë për të bërë inspektime. KLSH ka rezultuar se është jo efektive. Eshtë një strukture periodike dhe jo operacionale. Ky instrument do përdoret vetëm në funksion të qëllimeve për të cilat është ngritur, për raste të shkeljeve flagrante të dokumentuara”, nenvizoi ministri.

Bode foli edhe për cështjen e rritjes së pagave dhe pensioneve. “Që nga dita e nesërme, pensionistët do ta marrin pensionin të rritur. Janë 540 mijë individë që përfitojnë rritje. E rëndësishme është që të themi se rritja nuk është e neglizhueshme sepse për një vit marrin një pension shtesë dhe po t’u shtojmë vit për vit nga një pension njerëzve do të thotë se kemi bërë dicka. E njëjta gjë ndodh edhe me sistemin e pagave. Formulimin e kemi cuar në qeveri, e cila nuk e ka diskutuar ende. Pagat do rriten nga 2 % për pagat e nivelit më të lartë deri në nivelin 12 % për mjekët. Administrata civile do ketë një rritje nga 4 në 7 % dhe do kemi një rritje të sektorit të arsimit prej 6 %. Do ketë një rritje të infermierëvë 10 %, ushtria dhe policia 6 %, mesatarisht një rritje 5-6 %. Një nga elementet kryesore vazhdon te mbetet rritje e kerkeses konsumatore”, tha ndër të tjera ministri i Financave. 

Top Channel