Ligjet marrin në “provim” Mehdi Bicin

30/06/2010 19:50

Dy vjet më parë, gjyqtari i Gjykatës së Apelit për krimet e rënda, Mehdi Bici, u rrëzua në bllok, me votim të fshehtë, nga mazhoranca parlamentare, bashkë me 4 dekretet e tjera të presidentit Bamir Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Beteja e atëhershme politike mes demokratëve dhe presidentit Topi nisi për procedurat e ndjekura në emërimin e kandidatëve.

Sot Mehdi Bici është sërish në provë para Kuvendit të Shqipërisë, sërish si kandidat për anëtar të Gjyakatës së Lartë.

Ndryshe nga dy vjet më parë, procedurat parlamentare janë të reja dhe votimi do të jetë i hapur. Një gjë që gjyqtari Bici e vlerësoi pozitivisht gjatë seancës dëgjimore në komisionin e ligjeve, kur u pyet nga deputetët socialistë, nëse kjo procedurë vlerësohej apo jo prej tij si denigruese.

“Unë kam qenë edhe një herë para dy vjetesh kandidat për anëtar i Gjykatës së Lartë. Dhe, megjithëse kisha 17 vjet veprimtari në gjyqësor, kam kaluar në votim anonim. Mua më bëhet mirë që të vij dhe të deklaroj rezultatet e mia, pasi kanë 10 vjet që nuk publikohen. Populli duhet ta dijë se c’përfaqësues ka ai sot si kandidat për në Gjykatën e Lartë”, ka deklaruar Bici.

Gjatë seancës dëgjimore në komisionin e ligjeve, zoti Bici u tregua i guximshëm kur vuri në dyshim integritetin e gjykatësve të lartë për vendime të dhëna në kohë të ndryshme.

Një opinion ky, që megjithëse nuk specifikoi nëse bëhej fjalë për anëtarët aktualë të Gjykatës së Lartë, është hera e parë që jepet nga një kandidat për anëtar të saj, që është më e rëndësishmja në hierarkine e pushtetit gjyqësor.

“Jo me të gjitha vendimet e Gjykatës së Lartë kam qenë dakord. Unë jam gjyqatar i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda dhe ka patur raste që Gjykata e Lartë nuk ka mbështetur qëndrimin e dy gjykatave të tjera. Ka raste që, për të njëjtat qëndrime, Gjykata e Lartë mban qëndrime të ndryshme dhe nëse unë shkoj në Gjykatën e Lartë, ju garantoj se qëndrimet e mia do të jenë gjithmonë të njëjta për cështje të njëjta”, ka nënvizuar Bici.

Gjyqtari Mehdi Bici ishte kritik edhe për funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë me disa anëtarë që u ka mbaruar prej kohësh mandati, por që nuk janë zëvendësuar nga Konferenca Gjyqësore.

Organ ky, që nuk është mbledhur për shkak të debateve të brendshme, nëse Konferenca mund të funksionojë me rregullore apo vetëm me ligj, i cili është shfuqizuar dhe miratimi i një ligji të ri kërkon 84 vota në Parlament.

“Për mua nuk ka pengesë që Konferenca Gjyqësore të mblidhet me një rregullore të brendshme, pasi Kushtetuta e parashikon si organ. Nuk më vjen mirë që ka anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që kanë 7 vjet në detyrë. Po bëjnë, pak a shumë, mandatin e dytë. Duhet të ishte bërë zëvendësimi i anëtarëve që u ka mbaruar mandati”, ka shtuar Bici.

Pas gjyqtarit Mehdi Bici, komisioni i ligjeve do të marrë në pyetje, vec e vec, edhe 2 kandidatë të tjerë për Gjykatën e Lartë, përpara se ata të kalojnë për votim në Parlament.

Por, pas vendimit të deputetëve socialistë për të mos dhënë konsensus për asnjë ligj, rrezikon që gjatë votimit për tre dekretet e presidentit, të jenë të vlefshme vetëm votat e koalicionit qeveritar.

Top Channel