Një vit nga zgjedhjet, Berisha: Më të mirat

28/06/2010 13:40

Një vit pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare, që kanë ndarë fort demokratët me socialistët, kryeministri Sali Berisha, për të rekuperuar marrëdhëniet me opozitën, duket se nuk sheh më nga e kaluara, por nga e ardhmja.

Në takimin me grupin parlamentar të Partisë Demokratike, zoti Berisha nuk përmendi në asnjë fjali ndasitë për hetimin e zgjedhjeve, por ftoi opozitën t’í rikthehet traditës së bashkëpunimit për reformat e mëdha, përfshirë edhe atë elektorale.

“Sot ështe një ditë, të cilën unë shfrytëzoj, sërish të ftoj opozitën, në interesin e saj më të mirë dhe në interes të vendit të ushtrojë të gjitha funksionet dhe rolin që i përket. Ta garantoj atë se mbetem i vendosur, që bashkarisht të shndërrojmë në ligj dhe vendime të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Dhe kur them bashkarisht, nuk tërhiqem nga zotimi, që opozita të ketë të drejtën ekskluzive të hartimit të amendamenteve dhe kjo mazhorancë t’í votojë ato, natyrisht, pasi të jetë marrë një opinion nga Komisioni i Venecias apo nga OSBE/ODIHR-i”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri foli për të shkuarën e zgjedhjeve parlamentare vetëm duke i vënë ato në themel të vendimeve të mëpasme të Bashkimit Europian për pranimin e kërkesës së Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe për liberalizmin e vizave.

“Pa karakterin e këtyre zgjedhjeve të lirë dhe të ndershëm, pa dëshminë e arbitrit ndërkombëtar se nuk pati asnjë përpjekje për manipulim të rezultateve, pa dëshminë e arbitrit ndërkombëtar se nuk pati asnjë provë për numërim të parregullt, unë ju garantoj ju se asnjë nga vendimet e marra deri më sot nuk do të merrej për Shqipërinë. Në këto zgjedhje, gjykoj se, pavarësisht zhurmave dhe qëndrimeve, nuk pati asnjë shqiptar të humbur”, ka shtuar Berisha.

Top Channel