PS: Qeveria në borxhe

27/06/2010 13:10

Partia Socialiste kritikon sërish politikën ekonomike të ndjekur nga qeveria Berisha.

Nëpërmjet një deklarate për shtyp, sekretarit i Këshillit Ekonomik në PS, Ervin Bushati shprehet se shteti po e asfikson ekonominë dhe biznesin vendas pasi sipas tij, qeveria Berisha nuk paguan dot detyrimet që i ka sipërmarrjes vendase.

“Qeveria nuk mund të jetë korrekte në financimin e biznesit shqiptar sepse ajo nuk ka para në arkën e shtetit për të përmbushur detyrimet kontraktuale ndaj këtyre firmave. Gropa e zezë e buxhetit të shtetit thith fondet e destinuara për pagesat dhe financimet e investimeve në vend’, thekson ai. Sipas socialistit, Ministria e Financave në vend që të fabrikojë përgjigje absurde ndaj opozitës, bën mirë t’i përgjigjet me likuidim firmave dhe të respektojë detyrimet ligjore dhe financiare që ka.

“Qeveria Berisha nuk respekton shqetësimin legjitim të PS, ashtu si nuk respekton dot kontratat që e detyrojnë me ligj të financojë punimet dhe shërbimet e kryera nga sipërmarrësit vendas. Hallkat e borxheve të shumta të qeverisë, janë zinxhiri në qafën e biznesit shqiptar sot. Rendja e qeverisë pas taktikave miope populiste, ka lënë vendin tonë pa vizionin e një strategjie definitive zhvillimi ekonomik. Ekonomia sot është e mbyllur  brenda zinxhirit të një ‘rrethi vicioz’ që ka farkëtuar pushteti që qeveris Shqipërinë. Shteti sot e ka mbyllur kapitalin ekonomik të Shqipërisë në një zinxhir borxhesh, ndërkohë që mban peng biznesin, sipërmarrjen dhe kapitalin brenda vendit’, shton Bushati.

Përfaqësuesi i selisë rozë shtoi gjithashtu se qeveria nuk ka kryer asnjë nga reformat ekonomike, ashtu si nuk respekton në mënyrë kriminale detyrimet ligjore me biznesin në vend.

Top Channel