Mazhoranca: PS të bashkëpunojë

27/06/2010 21:10

Mazhoranca ka reaguar përmes deklaratave të ministrit Petrit Vasili dhe deputetit Flamur Noka duke i kërkuar opozitës të lërë mënjanë akuzat dhe të bashkëpunojnë për të afruar dhe jo për të penguar integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Çdo lloj analize ekonomike e cila do t’i largohej këtyre kritereve, do të prirej nga magniteti politik në dëm të konstrutivitetit, do të prirej nga blloku politik në dëm të analizës së vertetë ekonomike dhe shkencore do të dëmtonin opozitën vetë, por do të krijonin edhe konfuzione të panevojshme tek qytetarët të cilët duan qetësi dhe duan të punojnë gjithmonë e më shumë për të begatuar jetën e tyre”, tha nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili e quajti destruktiv qendrimin e socialistëve, e veçanërisht të liderit, Edi Rama.

“Ne jemi këtu që të bëjmë thirrje për ndërtimin e një modeli gjithmonë e më europian në sjelljen e opozitës e cila së pari i bën mirë vetë opozitës, shton kredibilitetin e saj, por njëkohësisht ndihmon qeverisjen që ajo të reflektojë për gjithçka që nuk shkon mirë dhe që shqiptarët të përfitojnë nga ky dialog”, tha më tej zoti Vasili.

Nga ana e saj Partia Demokratike akuzoi opozitën se nuk po kërkon një marrëveshje në respekt të ligjeve të shtetit.

“I kërkojmë zotit Rama të vërë vëth në vesh çfarë i kërkon Europa dhe i themi zotit Edvin se është i turpshëm sulmi që po organizon ndaj këtyre lidërve europianë përmes zëdhënësve të neveritshëm rreth tij. Zoti Rama ke dështuar në taktikat bllokuese prej bllokmeni dhe dukesh gjithmonë e më shumë qesharak kur sulmon Europën dhe Perëndimin”, deklaroi në një konferencë për shtyp deputeti demokrat, Flamur Noka.

Mazhoranca: PS te bashkepunoje
Vasili: te lere akuzat, te mos pengoje integrimin

Top Channel