Berisha-Thaçi, drekë pune në Durrës

27/06/2010 15:15

Kryeministri shqiptar, Sali Berisha dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi zhvilluan një drekë pune në Durrës, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit në shumë fusha mes dy vendeve si dhe për vendimin e GJND-së.

Kryeministri Berisha foli për vendimin e GJND-së duke u shprehur i bindur se ai do të jetë pozitiv dhe do të shtojë njohjet e reja të shtetit të Kosovës.

“Jam i bindur që vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë pozitiv dhe do të shtojë njohjet e reja. Kosova është shndërruar në një faktor stabiliteti në rajon”, tha gjatë fjalës së tij kryeministri Berisha.

Nga Durrësi kryeministri shqiptar komentoi edhe deklaratën e kreut të PS-së, Edi Rama, i cili pak ditë më parë u shpreh se kreu i PPE-së, Zhozef Dol zhvilloi fushatë për Berishën.

“Zoti Dol zhvilloi fushatë për mua po aq sa të gjithë shqiptarët për heqjen e vizave”, deklaroi kryeministri Berisha.

Ndërkaq, nga ana e tij kryeministri Thaçi ritheksoi edhe njëherë se integriteti territorial i Kosovës është i pacënueshëm.

“Integriteti territorial i shtetit të Kosovës është i pacënueshëm”, u shpreh kreu i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi.

Në takim merrnin pjesë edhe disa ministra nga të dyja vendet të cilët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në shumë fusha.

Top Channel