Turizmi kroat, fluks nga heqja e vizave

26/06/2010 21:20

Vendimi i Kroacisë për të hequr vizat për shqiptarët gjatë muajve të verës nuk është vetëm një gjest i marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, por një tentativë e mirë për të tërheur turistë shqiptarë.

Agjencitë turistike në Tiranë parashikojnë se edhe pse vetëm pak ditë më parë është marrë vendimi, interesi i shqiptarëve për pushime në Kroaci do të rritet.

“Do ketë një rritje të konsiderueshme të kësaj lëvizjeje. Kroacia do thithë shumë lëvizje fundjavave. Por shumë nga këto lëvizje janë të pakontrolluara nga agjencitë e udhëtimit”, deklarojnë përfaqësuesit e agjencisë “ATHS”.

Vitin e kaluar, sipas Bankës së Shqipërisë, shqiptarët harxhuan jashtë vendit 900 milionë euro, një vlerë pak më e ulët se ajo që shpenzohet brenda vendit në periudhen e sezonit turistik të verës.

Megjithëse Kroacia është relativisht e shtrenjtë krahasuar me destinacione të tjera, me liberalizimin e vizave ky vend tenton të përfitojë një copë nga torta e turistëve shqiptarë.

Agjentët turistikë shprehen se vendimi i Zagrebit për heqjen e vizave për shqiptarët është i vonuar për këtë sezon.

Nëse qeveria kroate do e kishte marrë këtë vendim 2-3 muaj më parë, atëherë numri i prenotimeve për pushime drejt këtij vendi nga pushuesit shqiptarë do kishte qenë më i lartë.

Top Channel