Topi: Në rajon, klimë perëndimore

26/06/2010 20:45

Presidenti shqiptar, Bamir Topi ka vlerësuar me nota pozitive samitin e zhvilluar në Prizren, duke theksuar se ai tregoi situatën pozitive që mbizotëron në rajon.

“Ka pasur një lloj skepticizmi nga organizatorë të tryezave të ndryshme, por takimi i 4 presidentëve tregon se situata në rajon është ndryshe. Ka filluar një komunikim njerëzor në përmirësimin e marrëdhënieve dhe këtu ka pasur progrese”, ka deklaruar Topi në një prononcim për Top Channel.

Sipas tij, një fakt që tregon këtë klimë pozitive është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi dhe gatishmëria e këtyre vendeve për të thelluar marrëdhëniet me shtetin e ri përmes marrëveshjeve bilaterale.

Kreu i shtetit ka nënvizuar se takimi i sotëm në Prizren është një vazhdim i samitit të Vlorës dhe do të pasojë me atë të Ohrit.

Një tjetër cështje e rëndësishme e prekur nga Topi ishte lëvizja e lirë, në të cilën sipas tij BE duhet të përfshijë edhe Kosovën, në mënyrë që shteti i ri të mos izolohet.

“Flitet për statusin e lëvizjes së lirë. Maqedonia dhe Mali i Zi e kanë arritur, Shqipëria është afër zyrtarizimit, por nuk është folur për Kosovën. Ne ramë dakord se nuk mund të ketë ishuj në Ballkan. Duke parë angazhimin e presidentëve, ata do të jenë më të prirur që Kosova të jetë e barabartë me vende të tjera të ballkanit”, ka nënvizuar Topi.

Schengen-i ballkanik, sipas tij, ka qenë një ide shumë pozitive që kanë vendosur të realizojnë katër vendet e rajonit, Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

“Schengen-i ballkanik ka qenë një ide e krijuar prej kohësh. I njëjti format që realizon Evropa e bashkuar mund të realizohet edhe mes vendeve tona. Por do të ishte dicka paradoksale nëse Kosova do të përjashtohej nga lëvizja e lirë”, ka shtuar Topi.

Top Channel