Financat përgënjështrojnë Ramën

26/06/2010 20:05

Ministria e Financave ka përgënjeshtruar deklaratat e bëra nga PS, se ekonomia shqiptare është më e rrënuar se kurrë dhe se kontrollohet nga krimi i organizuar.

Në një deklaratë për mediat, zëvendësministri Alfred Rrushaj ka deklaruar se ekonomia shqiptare ndodhet në gjëndjen më optimale të saj, duke pasur rritje të saj por edhe të buxhetit të shtetit.

“Teoria e konspiracionit të radhës është e dështuar. Ekonomia shqiptare nga viti 2009 e sipër ka qenë më e mira dhe ka pasur rritjen më të madhe në evropë me 3%. Gjithashtu, të ardhurat dhe buxheti janë rritur”, ka pohuar Rrushaj.

Sipas tij, akuzat e kreut të PS Edi Rama se qeveria ka dështuar në mbledhjen e tatimeve janë vetëm një farsë për të mbuluar krizën që ka përfshirë pushtetin lokal.

“Të ardhurat e mbledhura nga kryetari i bashkisë së Tiranës janë shumë më të ulëta, gjë që tregon krizën në pushtetin lokal. Të vetmet elementë penalizues në klimën e biznesit janë lejet e ndërtimit të bashkisë së Tiranës”, është shprehur Rrushaj.

Numri dy i Ministrisë së Financave ka shtuar më tej se, rritja e pagave dhe pensioneve e planifikuar nga qeveria bazohet tek të ardhurat e buxhetit të shtetit.

Top Channel