Daul: Të zbatohen rregullat e demokracisë

25/06/2010 12:45

Kryetari i Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Jozef Daul deklaroi se politikanët shqiptarë duhet të zbatojnë rregullat që imponon demokracia.

Gjatë një takimi në presidencë më kreun e Shtetit Bamir Topi, Daul theksoi se palët dhe drejtuesit e lartë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike.

Sipas njoftimit të publikuar nga Presidenca, Topi ndër të tjera theksoi se “me vullnetin politik të palëve, pas rivendosjes së dialogut politik institucional mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe me angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarëve.”

Gjatë bashkëbisedimit Daul garantoi se “procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye, sepse shqiptarët duhet të lëvizin të lirë dhe se Shqipëria, pas përparimeve të mëdha e të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes evropiane.”

Top Channel