Transparenca e bankave

24/06/2010 20:20

Pak ditë pasi vendet e G20 ranë dakord të publikojnë rezultatet e testimeve që u bëhen bankave private, drejtori i mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, shpjegon se cfarë janë këto teste.

“Janë ushtrime që i bëhen sistemit bankar, bankave individuale, duke i bërë më të ekspozuara për të marrë vesh se cfarë do të ndodhë me kapitalet, nëse kemi tregues negativ, apo një rënie ekonomike”, deklaron Endrit Banka.

Vendimi i G20 nuk e detyron Shqipërinë të publikojë testet që u bëhen bankave mbi gjëndjen e tyre financiare.

Në Bankën e Shqipërisë nuk ka një nismë për ta marrë në konsideratë publikimin e analizave të stresit, të cilat deri tani u janë dhënë qytetarëve të pjesshme në formën e tre rezultateve të përgjithshme.

“Që janë kapitali i shëndoshë, likuiditeti i shëndoshë dhe sistemi i mirë bankar”, ka saktësuar Banka.

Vendimi i G20 vjen pas disa muajsh debatesh dhe në një kohë kur disa nga ekonomitë e eurozonës janë të përfshira nga kriza e borxheve, që cënon direkt edhe sistemin bankar.

“Nuk duhet të harrojmë se ky është një vendim politik. Shpresojmë që rezultatet e këtyre tre testeve të jenë pozitive dhe të ndikojnë pozitivisht”, shton Banka.

Top Channel