Shtohen kreditë e këqija

24/06/2010 20:00

Shifra e kredive me probleme është rritur me 20 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat zyrtare të Shoqatës së Bankave tregojnë se në fund të prillit, totali i kredive të këqija të shprehura në lekë arriti në rreth 53 miliardë lekë, ose gati 500 milionë dollarë, kur në prill të vitit të kaluar ato ishin 33 miliardë.

Në katër muajt e parë të vitit, krahasuar me dhjetorin e 2009-ës, kreditë e këqija janë rritur sipas të dhënave nga vetë bankat me 7 miliardë lekë ose afro 70 milionë dollarë.

Edhe pse muajt e fundit ka një ngadalëism të rritjes së kredive të këqija, sërish shifra e tyre mbetet në nivelet më të larta.

Aktualisht, kreditë me probleme përbëjnë rreth 11.5 për qind të totalit që kanë dhënë për bizneset dhe individët. Shifër kjo 3 herë më e lartë krahasuar me vitin 2008.

Në këtë situatë Banka e Shqipërisë i ka detyruar bankat private që të mbajnë më shumë fonde rezervë të papërdorura si garanci për humbjet financiare që mund të vijnë nga kreditë e këqija.

Sipas të dhënave zyrtare, këto fonde garancie krahasuar me tremujorin e parë të vititi 2008 janë rritur me 2.3 herë.

Kreditë e këqija, vec gjëndjes financiare të bankave, pengojnë kreditimin e ekonomisë. Për të qenë të sigurta, bankat detyrohen që të mbajnë më shumë fonde të papërdorura si garanci dhe vec kësaj, humbjet nga kreditë e pashlyera i bëjnë ato që të rrisin interesat e kredive për biznesin dhe individët.

Top Channel