Ndryshon rregullorja e Kuvendit

24/06/2010 19:35

Mazhoranca votoi e vetme me 73 vota ndryshimet në rregulloren e Parlamentit që përcaktojnë votimin e hapur për dekretet e presidentit për anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese. (UPDATE)

Në një seancë disaorëshe, nga me të gjatat që kur Partia Socialiste është kthyer në Parlament, deputetët e saj i kundërshtuan fort ndryshimet, duke akuzuar mzhorancën se kërkon të vendosë nën kontroll pushtetin gjyqësor.

Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruci mabjti këtë qëndrim përpara se opozita të braktiste sallën e Parlamentit, për të mos qenë, sic tha zoti Ruci, dëshmitarë të këtij votimi ogurzi, që largon ndoshta përfundmisht shanset për bashkëpunim.

“Duke pasur parasysh se ky amendament vë nën kontroll politik integritetin e institucioneve të pavarura, ai i jep gjithashtu një goditje të fortë frymës së mirëbesimit reciprok. Nëse do të vazhdoni kështu e coni situatën në Shqipëri në pikën e nisjes”, ka deklaruar Ruci.

Por kreu i grupit parlamentar demokrat, Astrit Patozi, duke mos pranuar këto argumenta, deklaroi se opozitës i mungon vullneti për bashkëpunim dhe se po përpiqet të fusë në kaos institucionet demokratike të vendit.

Sipas zotit Patozi, kjo është arsyeja përse Partia Socilaiste kushtëzon dhe nuk jep konsensusin edhe për ligjet e tjera me mazhorancë të cilësuar.

“Po përpiqen t’iu ngulisin njerëzve në kokë fjalën “transparencë”, jo sepse e duan atë, por sepse duan të fusin vendin në kaos”, ka pohuar Patozi.

Ndryshimi i rregullores do të thotë se 3 kandidaturat e reja të presidentit Bamir Topi për Gjykatën Kushtetuese do të bëhen me votim të hapur pas pak javësh, pasi ato të degjohen në komisionin e ligjeve.

Top Channel