Ankesat e maturantëve, rivlerësim nga grupi i posaçëm

24/06/2010 09:20

Vetëm dy ditë më parë përfundoi procesi i ankimimit, për të gjithë ata maturantë që kishin pakënaqësi për notën me të cilën ishin vlerësuar në provimin e Letërsisë.

Vetëm një ditë pas publikimit të rezultateve të këtij provimi, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës vuri në dispozicion plot 7 ditë për ata nxënës që mendonin se nuk ishin vlerësuar me notën që meritonin.

Ka mjaftuar vetëm një javë që çdo maturant që nuk besonte se testi i tij ishte vlerësuar në mënyrë korrekte, të përgatiste një kërkesë me shkrim, nëpërmjet të cilës do të kërkonte rivlerësim të provimit.

Kjo është bërë e mundur vetëm pasi maturanti ka kërkuar pranë drejtorisë së shkollës përkatëse fotokopjen e testit të provimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore.

Ankimuesit pasi kanë marrë në dorë fotokopjen, kanë shqyrtuar me kujdes vlerësimin që i është bërë secilës përgjigje.

Ka pasur nga ata që pasi kanë verifikuar përgjigjet me vlerësimin që i është bërë, janë bindur që korrigjimi ka qenë korrekt.

Por nga ana tjetër ka pasur edhe maturantë të cilët e kanë çuar më tej zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Çdo i ri që ka evidentuar që në tezën e tij ka pasur parregullsi në vlerësim, i është drejtuar drejtorisë së shkollës, nëpërmjet një letre me shkrim, ku ka kërkuar rivlerësim të provimit.

Këta të fundit e kanë nisur ankesën në drejtoritë arsimore rajonale ose në zyrat arsimore.

Më pas të gjitha kërkesat janë dërguar në Agjencinë Qendrore të Arritjeve të Nxënësit.

Ky ka qenë institucioni i fundit, i cili ka vendosur në mënyrë definitive zgjidhjen e këtyre situatave.

Pas kësaj, AVA ka ngritur një komision të posaçëm, i cili ka qenë i përbërë nga specialistë të kualifikuar të fushës.

Ata kanë rishikuar me kujdes testin dhe kanë bërë rivlerësim vetëm tek ato teza, ku kërkesa e maturantit ka qenë e drejtë.

Top Channel