Gjoba, reagojnë “Reporterët pa kufij” dhe IFJ

23/06/2010 20:05

Gjobitja e Top Channel me 400 mijë euro ka shokuar jo vetëm opinonin shqiptar, por edhe atë ndërkombëtar. Kështu, në një reagim të “Reporter sans Frontier” përmes një komunikate për shtyp ka dënuar ashpër vendimin e një gjykate në Tiranë  e cila ka gjobitur  Top Channel me një shumë prej  400 mijë, siç thuhet “për dëmet ndaj ish-ministrit Ylli Pango”.

Më konkretisht, në reagimin e kësaj organizate ndërkombëtare thuhet se më më 4 mars 2009, Top Channel ka transmetuar një hetim në programin e quajtur “Fiks Fare”, ku vërehen sjelljet dhe abuzimet e ish-minsitrit Pango me një femër të re shqiptare.

“Ne jemi të habitur nga vendimi i gjykatës dhe nga shuma e paparë e gjobës së vënë ndaj Top Channel. Abuzimet nga pushteti nga një ministër është një çështje e interesit publik dhe duhet të trajtohet lirisht nga shtypi. Vendimi i Top Channel për të transmetuar videon ishte i justifikuar plotësisht dhe krejtësisht legjitime”, thuhet në reagim.

Pas “Reporters sans Frontier”, në të njëjtën ditë kanë reaguar edhe organizata të tjera botërore që veprojnë në favor të mbrojtjes së fjalës së lirë, Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) me seli në Bruksel. Kjo organiazatë botërore sot ka akuzuar po ashtu autoritetet shqiptare për shkelje të të drejtave të lirisë së shtypit pasi një gjykatë e Tiranës ka dhënë një dënim prej 400 mijë eurosh Top Channel, në lidhje me një rast të gazetarisë hulumtuese.

Z. Ernest Sagaga, përgjegjës i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve për Evropën me seli në Bruksel, i ka deklaruar televizonit tonë se dënimi i Top Channel prej 400 mijë eurosh nuk është vetëm thjesht një denim, por me ketë dikush pretendon t’ja mbyll gojën mediave për të fshehur realitetin apo maskuar abuzimet e një pushtetari në rajon.

Ndërsa për sekretarin e përgjithshëm të kësaj organizate botërore z. Aidan White “Vendimi për të dënuar Top Channel me këtë shumë të hollash është skandaloz, ku rasti i këtij pushtetari, para mediave, në këtë rast para Top Channel, duhej zbuluar dhe dënuar nga qeveria e Tiranës”.

Mesazhi i këtyre organizatave ndërkombëtare ishte i qartë, se aty ku vriten dhe dënohen gazetarët dhe mediat, dëshmon qartë se në vend pretendohet të vritet e vërteta.

Top Channel