Fier, shkarja e dheut bllokon hekurudhën

23/06/2010 08:10

Prej tre muajsh linja hekurudhore e Fierit ndodhet jashtë funksionit për shkak të dëmtimit nga rrëshqitja e dherave.

Edhe pse drejtoria po bën maksimumin për të rinisur shërbimin e transportit hekurudhor, ajo nuk ka mundur të japë zgjidhje.

Është arritur që për disa ditë të jetë në funksion vetëm transporti i mallrave, kurse për pasagjerët shërbimi në fjalë ka më tepër se  tre muaj që është ndërprerë. Drejtori i hekurudhës deklaron se me fondet në dispozicion nuk ka mundur të frenojë tokën që po rrëshqet mbi trasenë hekurudhore e për pasojë po shkatërron këtë të fundit.

Krahas këtij problemi, drejtoria e hekurudhës ka nisur aksionin e identifikimit të objekteve pa leje mbi linjën hekurudhore që përshkon qarkun. Shkak për ndërprerjen e shërbimit hekurudhor për pasagjerët është bërë devijimi i trasesë në vendin e quajtur fshati Vanaj në Komunën e Libofshës. Është linja hekurudhore Lushnjë-Fier dhe Fier-Vlorë që është jashtë funksionit prej tre muajsh. “Dimri i kaluar solli mjaft probleme me linjën hekurudhore të Fierit.

Shkarjet masive shkatërruan edhe gjatësi të konsiderueshme të hekurudhave. Kemi tre muaj që po përballemi me një defekt të rëndë të linjës hekurudhore në zonën e Libofshës”, thotë drejtori Mustaf Gashi. Ndërkaq, aksioni për verifikimin e ndërtimeve pa leje mbi hekurudhë ka prekur  segmentin nga Rrogozhina në Vlorë. Në këtë gjatësi linje hekurudhore përveç objekteve pa leje janë verifikuar edhe mbikalime të sajuara, të cilat kapin numrin 300.

Top Channel