Kriza përçan PE-në

22/06/2010 23:35

Kriza politike në Shqipëri ka përçarë si asnjëherë më parë edhe eurodeputetët. Dy grupimet më të mëdha ndahen në qendrimet e tyre ndaj votimit të rezolutës, ndarje të cilen nuk e fshehin edhe në prononcimet e tyre për Top Channel.

“Ajo që unë pres nesër dhe që e dëshmoi dhe debati i sotëm është të tregojmë se ekziston shqetësimi për situatën në Shqipëri, mbi aftësitë e dy partive për të gjetur zgjidhje për çështje të rëndësishme të vendit, siç është kapërcimi i situatës së brendshme, bërja e një kompromisi dhe të punohet më pas për të patur regjim të lirë pa viza e integrim në BE”, deklaron Libor Roucek,  zv/president i PE-së.

TCH – Mendoni se kjo situatë politike do të influencojë në çështjen e liberalizimit të vizave dhe statusin kandidat?

“Sigurisht që shumica e eurodeputetëve mendojnë, nuk ka rendesi sesi e lidhin këtë çështje, por ata shprehen se do të ishte më mirë nëse partitë politike në vend do të ishin në gjendje që të bashkëpunonin ngushtë për këto çështje të rëndësishme”, përgjigjet më tej zv/presidenti Roucek.

“Socialistët europianë i përkasin të njëjtit grupim me ata në Shqipëri që humbën zgjedhjet e që po bëjnë polemika tani me qevërine dhe maxhorancën aktuale mbi rregullësinë e zgjedhjeve, pikërisht i përkasin të njëjtës familje, ndaj ishte thjesht konfirmimi që edhe në Europë vijojnë përkatësitë apo afërsitë siç ekzistojnë në vendet anëtare në terma politike. E di që ka polemika të brendshme çfarë nuk ndihmojnë për marrëdhënie pozitive mes Unionit dhe vendit tuaj, ndaj me këtë rezolutë ne duam të vijojmë ecjen tuaj, megjithëse në këto rrethana, ku polemikat mes partive nuk janë sheshuar tërësisht”, shprehet Gabriele Albertini, kryetar i Komisionit të Jashtëm në PE.

TCH – Mendoni se kjo polemikë, siç e quani ju do të ndikojë për liberalizimin e vizave dhe statusin kandidat të vendit?

“Po, rekomandimi që ne do të votojmë nesër në Komitetin e Jashtëm shkon në këtë drejtim. Pastaj natyrisht që Komisioni Europian do të jetë arbitri mbi këtë situatë, nëse kushtet e vendit tuaj do ta lejojnë këtë gjë që nënkupton dokumentat identifikues, kontrollin e kufijve etj, atëherë aprovimi i kësaj çështjeje do të pasojë”, vijon Albertini.

“Ka një shpresë, ka një shpresë se në ditët në vijim mund të ketë një zgjidhje le të themi, apo presion nga liderët e grupimeve parlamentare. Une shpresoj dhe uroj që të kemi lajme të mira”, deklaron për Top Channel raportuesi për Shqipërinë në PE, Nicolaos Chountis.

“Duket se ky konflikt në Shqipëri është i fuqishëm e po influencon edhe Brukselin. Parlamenti Europian është ndarë edhe në çështjen nëse duhet apo jo të votojmë mbi të. Por deri nesër do ta shohim, se pozicionet mund të ndryshojnë prërsëri”, shprehet eurodeputeti i APSDE-së, Zoran Thaler.

TCH – Çfarë do të thotë kjo, që para seancës së votimit do të diskutoni sërish nëse duhet votuar apo jo rezoluta?

“Shumica këtu do që me vullnet të mirë të ndihmojë Shqipërinë që të gjejë një zgjidhje afatmesme ose afatgjatë, sepse kjo situatë nuk mund të vijojë kështu. Shqipëria është vend në Europë dhe të gjithë presim që parlamenti të funksionojë normalisht sipas një sistemi demokratik, e ky nuk është rasti aty. Ndaj njerëzit këtu po mundohen që të gjejnë mekanizma të ndryshëm sesi të influencojnë për situatën në Shqipëri”, deklaron eurodeputeti Thaler.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA