Korrupsioni, hetimi nis edhe nga publikimet në media

22/06/2010 09:05

Ministri i Financave ka të drejtë ngritjen e një grupi hetimor, duke u nisur nga përmbajtja e një artikulli apo kronike televizive.

Një tjetër risi e projektligjit “Për inspektimin financiar”, u votua dje nga anëtarët e Komisionit Parlamentar për Ekonominë dhe Financat.

Të dyja forcat politike mbështetën propozimin në projektligj mbi burimet e inicimit të hetimeve që do të kryejë Drejtoria e Inspektimit Financiar Publike, strukturë e re, në varësi të ministrit të Financave.

Sipas deputetit të Partisë Socialiste, anëtar në komision, Arben Malaj, “ministri i Financave ka të drejtë të ndërmarrë një sërë nismash hetimi, sa u takon fushave që kanë të bëjnë me menaxhimin buxhetor, duke iu përmbajtur edhe rasteve të publikuara në media”.

Ndërsa anëtari demokrat, Sherefedin Shehu, kërkoi të saktësonte formatin e artikullit. “Artikulli apo kronika në media, në rast se paraqesin prova apo dokumente, përbën një rast të nevojshëm për nisjen e hetimit. Në parim jam dakord”, tha Shehu.

Diskutimet lidhur me çështjen në fjalë lindën gjatë zhvillimit të debatit në nenin 8, i cili trajton burimet e informimit që mundësojnë nisjen e hetimeve, ku mes tyre do të jenë edhe raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Top Channel