Basha: Shengen ballkanik

22/06/2010 19:45

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha ka kërkuar realizimin e një shengeni ballkanik brenda një kohe të shkurtër, gjatë workshop-it të Inisiativës Rajonale për Migrimin, Azilin dhe Refugjatët.

Për Bashën, vendet e rajonit, Mali i Zi, Serbia, Bosnja, Kroacia dhe Maqedonia, duhet të bashkëpunojnë për një rajon me kufij të papenetrueshëm nga krimi ndërkombëtar.

“Synimi ynë kryesor është të përcaktojmë brenda një kohe të shkurtër një kalendar realist për arritjen e Shengenit ballkanik, lëvizjes së lirë të qytetarëve të gjithë vendeve tona pa barriera administrative, kufitare dhe tarifore. Prioritet madhor mbetet forcimi i kontrollit të kufijve për të siguruar një rajon me kufij të papenetrueshëm nga krimi transkufitar dhe transkombëtar, një rajon i cili eksporton vetëm siguri drejt vendeve të BE”, theksoi ministri.

Në këtë forum, Shqipëria mban drejtimin e radhës dhe ministri Basha i ka ftuar vendet pjesëmarrëse të pranojnë edhe Kosovën si anëtare. Kërkesa është mbështetur edhe nga kreu i KE-së në Shqipëri, Lohan, i cili i ka ftuar shtetet e rajonit të pranojnë Kosovën, nëse i plotëson kushtet për të qënë pjesë e këtij forumi.

Top Channel