Shkurti: “Fiks Fare” denoncoi korrupsionin

21/06/2010 21:40

Kryeredaktori i emisionit “Fiks Fare”, Armir Shkurti ka deklaruar se zbulimi i skandalit seksual me ish-ministrin Ylli Pango ka ardhur si pasojë e një investigimi standart.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Shkurti ka saktësuar se ndërhyrja e emisionit “Fiks Fare” u bë pas denoncimit të një vajze që kërkonte punë në Ministrinë e Kulturës.

“Historia është që një person i drejtohet ministrit për të filluar punë dhe i është kërkuar favor seksual. Pas kësaj u dërgua gazetarja, e cila u rekomandua që të mos provokojë”, ka deklaruar Shkurti.

Sipas tij, ky nuk është vetëm një skandal seksual, por një skandal që tregon praninë e korrupsionit në qeveri.

“Ky nuk është skandal seksual. Imagjinoni për një cast sikur vajza të kishte qenë një burrë që do kishte dërguar në zyrën e ministrit 100 mijë euro. Ajo vajzë shkoi për punë tek një ministër, i cili e ftoi në shtëpi. Ky ministër është një rast korrupsioni, nuk është një skandal seksi. Seksi ishte monedha”, ka nënvizuar Shkurti.

Ai ka shtuar më tej se “Fiks Fare” është një emision investigativ dhe depërton jo vetëm tek ministrat, por tek të gjithë funksionarët që abuzojnë me detyrën.

“Tek cdo funksionar për të cilin ne kemi indicje se ka probleme, “Fiks Fare” shkon. Në rast se do të jetë një ministër tjetër, “Fiksi” do ta ndjekë”, ka shtuar Shkurti.

Top Channel