Interesat, ankohet BSH

21/06/2010 19:40

Banka e Shqipërisë u ka kërkuar bankave private që ti përcaktojnë interesat kredive dhe depozitave duke u bazuar tek politika monetare që ndjek Banka e Shqipërisë.

Guvernatori i Bankës, Ardian Fullani ka deklaruar se pika fillestare e referimit duhet të jetë norma bazë që përcakton BSH.

“Orientimi i operacioneve tona drejt stabilitetit të normave të interesit në tregun ndërbankar udhëhiqet nga nevoja e orientimit të normave të shkurtra të interesit ndërbankar afër normës bazë të interesit të përcaktuar nga autoriteti monetar, Banka e Shqipërisë. Këto norma mund dhe duhet të shërbejne si udhërrëfyes për përcaktimin e cmimeve të produkteve bankare si në kahun e aktivit, ashtu dhe në kahun e pasivit”, ka deklaruar Fullani.

Aktualisht interesat e kredive më shumë se sa nga politika që ndjek banka qëndrore përcaktohen nga oreksi i qeverisë për borxh, më saktësisht nga eucria e interesave te bonove. Kjo, sipas ekspertëve, ndodh për shkak të mungesës së tregut të mirëfilltë ndërbankar.

“Bankat mund dhe duhet të jenë aktive në kuotimin e likuiditetit në lekë, duke ndjekur të njëjtin qëndrim dhe atë të valutës. Kuotimi i vazhdueshëm do të nxisë një administrim më aktiv të likuiditetit do të mundësojë përcaktimin e cmimit të vazhdueshëm në të”, ka nënvizuar Fullani.

Transmetimi i politikës monetare ka qenë një problem i hershëm i ekonomisë shqiptare. Edhe vitin e kaluar, kur banka u përpoq të stimulonte ekonominë duke ulur normën bazë, përcjellja në treg ishte e vonuar dhe jo e plotë.

Top Channel