Dënimi, gazetarët: Vendim i paprecedent

21/06/2010 20:15

Një vendim i paprecedent dhe që synon të godasë dhe të kufizojë gazetarinë investigative.

Gazetarë të njohur janë shprehur se me këtë vendim nuk dënohet abuzimi me pushtetin, por ata që e denoncojnë këtë, ndërsa nënvizojnë se investigimi i “Fiks Fare” nuk ka shkelur as Kodin Penal dhe as kodin e etikës të gazetarisë.

“Nuk është shkelur asnjë kod etike. Ministri pango ka shkelur të gjitha kodet e mundshme, ka shfrytëzuar postin dhe ka arritur të zbërthejë të gjitha mbërtheskat që zotëron një zyrtar publik. Gjyqtarët që kanë gjykuar këto raste nuk kanë qenë kaq të politizuar sa ky që dha këtë vendim të paprecedent”, deklaron gazetari Arban Hasani.

Në të njëjtën linjë shprehet edhe gazetari tjetër Ilir Babaramo, i cili e cilëson vendimi si “skandaloz”.

“Është një vendim skandaloz, sepse bëhet fjalë për një cështje që njihet gjerësisht nga opinioni publik dhe gjobitet me 400 mijë euro televizioni më i madh në vend. Guximi i këtyre gjyqtarëve ka kaluar cdo pafytyrësi”, shprehet Babaramo.

Dy gazetarët e njohur vlerësojnë se në këtë mënyrë i është “vënë shkelmi” gazetarisë ivestigative dhe u është dhënë mundësi zyrtarëve që të zgjerojnë skandalet e tyre.

“Me këtë vendim i mbyllet dera gazetarisë investigative. Me këtë vendim inkurajohen të gjithë zyrtarët se mund të shkelin ligjin dhe të mos kenë asnjë pasojë. Janë këta zyrtarë që po shfrytëzojnë këtë pushtet dhe po penalizojnë gazetarët. Rasti i “Fiks Fare” u përdor momentin e parë nga politika si moment për të reflektuar. Qeveria u mburr me shkarkimin e Pangos, por tani duket se ky ka qenë një vendim i imponuar nga rrethanat”, nënvizon Hasani.

“Kur dënohet televizioni më i madh në vend mendoni se cfarë mund të ndodhë me qytetarët e thjeshtë. Mendoni nëse lirohet një baron droge”, shton Babaramo.

Top Channel