Vlorë, nis fluksi i hyrjes së emigrantëve

20/06/2010 08:20

Nis fluksi i ardhjes së emigrantëve nëpërmjet Portit të Vlorës.

Gjatë ditës së djeshme, me tragetet e linjës Vlorë-Brindisi kanë ardhur 430 pasagjerë, 120 automjete, 7 autobusë dhe 17 kamionë. Fluksi është përballuar lehtë nga të dy anët e kufirit detar dhe nuk ka pasur vonesa në përpunimin e të dhënave të pasagjerëve.

Ndërkohë, autoritetet e policisë kufitare të Vlorës kanë deklaruar për “Shqip” se janë marrë të gjitha masat organizative, teknike dhe infrastrukturore për të shmangur radhët e gjata të pritjes.

“Mendojmë që brenda këtij muaji të vëmë në funksionim kabina të tjera në shërbim të qytetarëve. Siç duket, fluksi po vjen duke u rritur dhe ne kemi marrë masa si në port, ashtu edhe në hapësirën detare, ku disiplinimi i motorëve të ujit është dhe prioriteti ynë kryesor. Po ashtu, në Portin e Vlorës janë hapur 8 sportele për kontrollin e pasagjerëve, 4 prej të cilëve për personat me automjete dhe 4 të tjera për pasagjerët që hyjnë pa automjete. Ndërsa dy sportele janë vetëm për turistët e huaj”, kanë deklaruar burimet nga policia kufitare e Vlorës.

Ndërkohë, premtohet që për këtë vit, emigrantët dhe turistët e huaj që do të hyjnë në territorin shqiptar, nëpërmjet Portit të Vlorës, do të kenë shpejtësi dhe korrektësi shërbimi.

Top Channel